FLASH :

Një udhëtim me kroçerë kthehet në tragjedi: Ish-stuntmeni vritet mes zënkave të dehur në MSC Virtuosa

Një udhëtim dy-ditor me kroçerë nga Southampton drejt Bruges, i përshkruar si një “booze cruise” nga dëshmitarët, është kthyer në tragjedi pas vdekjes së 60-vjeçarit James Messham, një gjysh dhe ish-stuntmen i njohur, i cili humbi jetën në një përleshje të dhunshme në bord.

Një pasagjere 21-vjeçare, e cila nuk ka dashur të identifikohet, ka treguar për gazetën Mirror se udhëtimi me kroçerën MSC Virtuosa u kthye nga një pushim relaksues në “katastrofë”, që në orët e para të nisjes. Ajo përshkroi skena të shthurura me dasma beqarësh dhe turma të dehura që shkaktonin përleshje pranë pishinës, ndërsa stafi i anijes vijonte të shërbente pije alkoolike pa kufizim.

Incidenti fatal ndodhi të shtunën rreth orës 20:30, vetëm dy orë e gjysmë pasi anija u nis nga Southampton. Sipas policisë britanike, një burrë 57-vjeçar u arrestua për dyshimet për vrasje, por është lënë i lirë me kusht. Trupi i viktimës u mbajt në bord deri të hënën në mëngjes, kur kroçera u kthye në terminalin Horizon.

James Messham, i cili drejtonte bashkë me familjen shfaqjen ikonike “Messhams Wall of Death” – spektakli më i vjetër në Evropë me motorë në mure vertikale – u përshkrua nga miqtë si “një zotëri i vërtetë” dhe “shpirti i panairit”. Miku i tij, Joby Carter, nga Carter’s Steam Fair, tha: “Ai ishte një burrë që të ndihmonte natë e ditë, një njeri i përkushtuar dhe punëtor i madh.”

Anija MSC Virtuosa, e njohur edhe si vendi i xhirimeve për serialin britanik “The Good Ship Murder”, është vënë sërish në qendër të hetimeve pas këtij rasti tragjik. Vetëm disa muaj më parë, një shtetase kolumbiane, Jessica Andrea Gomez Granda, 28 vjeç, humbi jetën pasi ra nga kroçera pranë Ishujve të Kanalit.

Në bord gjatë kësaj udhëtimi ndodheshin edhe ylli i reality-show “The Traitors”, Harry Clark, dhe e dashura e tij Anna Maynard. Sipas pasagjerëve të tjerë, çifti ishte i sjellshëm dhe i ulur, pa lidhje me incidentin.

Policia e Hampshire ka nisur hetim për vrasje dhe ka falënderuar ekuipazhin për bashkëpunimin. Zëdhënësi i MSC Virtuosa tha: “Pas incidentit në bord, autoritetet u njoftuan menjëherë dhe kompania po bashkëpunon plotësisht me hetimet.”