Policia ka ndaluar sot 6 persona anëtarë të partisë Socialdemokrate në Shkodër, të cilëve në automjetet e tyre janë gjetur tollona, shuma të konsiderueshme parash dhe lista me emra votuesish.
Për këtë Partia Socialdemokrate (PSD) ka reaguar menjëherë pas lajmit për goditjen e një rrjeti të përfshirë në blerjen e votës, ku janë proceduar gjashtë persona. PSD-ja e ka cilësuar këtë lajm si “dezinformim i qëllimshëm dhe dashakeqës”, duke theksuar se nuk ka patur dhe nuk ka asnjë lidhje me asnjë person të përfshirë. Ata kanë shtuar se kushdo që përfshihet në të tilla krime do të mbajë përgjegjësi ligjore.
Njoftimi i policisë
Punë intensive në bashkëpunim me SPAK, për parandalimin dhe goditjen e krimeve në fushën e zgjedhjeve.
U zhvillua në qarkun Shkodër, faza e parë e operacionit policor të koduar “Premtimi”.
Në bashkëpunim me BKH, u zbatuan vendimet për kontrollin personal dhe të automjeteve ndaj 6 shtetasve.
Sekuestrohen celularë, para dhe lista me emra qytetarësh që u gjetën këtyre shtetasve.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Finaciare, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të punës intensive të bërë në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e krimeve elektorale, zhvilluan sot, në qarkun Shkodër, fazën e parë të operacionit policor kundër krimeve zgjedhire, të koduar “Premtimi“.
Në kuadër të kësaj faze u bë ekzekutimi i vendimit të datës 07.05.2025, të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për kontrollin fizik ndaj 6 shtetasve dhe 9 automjeteve të tyre, konkretisht ndaj shtetasve F. V., B. L., D. D., S. Z., B. H. dhe Z. D., banues në Shkodër, Bushat dhe Vau i Dejës;
-automjetit në pronësi të shtetasit F. V.;
-automjetit në pronësi të shtetasit B. P.;
-automjetit në pronësi të shtetasit D. D.;
-automjetit në pronësi të OSHEE-së, në përdorim nga shtetasi S. Z.;
-2 automjeteve në pronësi të shtetasit B. H.;
-3 automjeteve në pronësi të shtetasit Z. D.
Nga kontrollet e kryera në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 7 celularë, dokumente të ndryshme, një shumë parash (euro dhe lekë) dhe tollona karburanti.
Hetimet në kuadër të këtij operacioni vijojnë.







