FLASH :

Robert Francis Prevost/ Ja kush është Papa i ri

Është 69 vjeç, amerikan dhe do të quhet Leoni XIV

Robert Francis Prevost është zgjedhur Papë nga konklava pas raundit të katërt të votimeve dhe ka marrë emrin Leoni XIV. Ai është 69 vjeç, me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe është emëruar kardinal nga Papa Françesku në vitin 2023. Deri pak ditë më parë, mbante postin e Prefektit të Dikasterit për Ipeshkvijtë, pra personi përgjegjës për përzgjedhjen e ipeshkvijve në mbarë botën – një detyrë me rëndësi të madhe në hierarkinë e Kishës, dhe më e fundit në një seri rolesh të rëndësishme që ka mbajtur në Vatikan.

Prevost ka lindur më 14 shtator 1955 në Çikago, në shtetin e Illinois-it. Ai i përket Urdhrit të Shën Augustinit – një komunitet rregulltar i të cilit mori kushtet në vitin 1981 dhe që e ka udhëhequr si prior i përgjithshëm për dy mandate radhazi. Ka shërbyer për shumë vite si misionar në Peru dhe konsiderohet në përgjithësi si një figurë progresiste dhe e afërt me Papa Françeskun, sidomos në çështje që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Megjithatë, Prevost ka qëndrime më konservatore ndaj komunitetit LGBT+ dhe është shprehur kundër përfshirjes së grave në role klerikale.

Emri i tij është lidhur gjithashtu me dy raste abuzimesh seksuale nga kleri, një në SHBA dhe një në Peru, ku është akuzuar për mbulimin e priftërinjve të përfshirë në abuzime ose për mungesë hetimesh të plota në lidhje me këto raste.