Agron Shehaj, një nga emrat më të njohur të sipërmarrjes dhe politikës shqiptare, ka rrëfyer së fundmi historinë e rrugëtimit të tij drejt suksesit. Duke folur për karrierën e tij, Shehaj ndau detaje nga fillimet e tij në Itali, ku u diplomua për ekonomi dhe ku nisi të ndërtojë kompaninë e tij, vetëm disa muaj para diplomimit.
“Kisha dëshirë për t’u kthyer në Shqipëri, për të bërë diçka midis Shqipërisë dhe Italisë. Unë kisha dy gjëra: isha shqiptar, njihja Shqipërinë, por kisha jetuar edhe në Itali. Doja të bëja bashkë këto dy gjëra,” u shpreh Shehaj.
Në këtë përpjekje për të ndërthurur përvojën mes dy vendeve, lindi ideja për të krijuar një Call Center në Shqipëri, një treg që në atë kohë ishte inekzistent. “Të merrte formë u deshën të paktën 4-5 vjet,” tregoi ai, duke shtuar se suksesin financiar e arriti pas 10 vitesh përpjekje të vazhdueshme.
Sipas Shehajt, çelësi i suksesit në biznes është këmbëngulja dhe puna. “Të punosh do të thotë jo vetëm të rrish orë të tëra aty, por të gjesh zgjidhje, sepse të bësh biznes do të thotë të zgjidhësh probleme,” theksoi ai.
I pyetur nëse përvoja e tij në biznes e ndihmon në politikë, ai u përgjigj me siguri: “Po, absolutisht!”. Agron Shehaj është një nga politikanët që ka hyrë i pasur në politikë dhe nuk është pasuruar aty. “Nëse nuk do të hyja në politikë në 2017, do të isha minimalisht dyfish më i pasur se sa jam sot,” deklaroi ai me transparencë.
Historia e Agron Shehajt është një frymëzim për të gjithë ata që aspirojnë suksesin përmes përkushtimit dhe këmbënguljes.







