Një bandë droge që përdorte “shake” për humbje peshe si mbulesë për të futur metamfetaminë në Mbretërinë e Bashkuar është goditur rëndë nga drejtësia: gjashtë anëtarë të grupit kriminal janë dënuar me një total prej afro 50 vitesh burg, pas sekuestrimit të 7 milionë paundëve drogë në një operacion ndërkombëtar antidrogë.
Grupi i drejtuar nga trajneri i boksit Davante James, 29 vjeç, fshihej pas një fasade luksi e jete të shfrenuar, ku përfshiheshin pushime ekzotike, ora të markës Rolex dhe rroba dizajnerësh. Në rrjete sociale, James shfaqej duke tymosur puro të shtrenjta dhe duke bërë ironi me tufa parash. Por pas këtij imazhi, ai drejtonte një rrjet të sofistikuar trafikimi që importonte metamfetaminë dhe kanabis nga SHBA drejt Britanisë përmes porosive të maskuara si suplemente dietike.
Operacion ndërkombëtar dhe dënime të rënda
Operacioni i madh antidrogë u shtri nga Policia e Nottinghamshire në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Sigurisë së Brendshme dhe Ambasadën e SHBA. Droga u kap fillimisht në aeroportin Stansted në maj 2023, kur një pako me etiketime “shake për humbje peshe” rezultoi të përmbante 900 gram metamfetaminë dhe 2 kg kanabis.
Më vonë u zbuluan edhe dërgesa të tjera, duke çuar në sekuestrimin më të madh të metamfetaminës në historinë e Nottinghamshire Police. Sipas hetuesve, droga e futur në vend kishte vlerë mbi 7 milionë paund dhe trafikimi ndodhte në “shkallë industriale dhe të paprecedentë”.
Në janar, në Gjykatën e Kurorës në Nottingham, nëntë persona u deklaruan fajtorë për import droge të klasit A dhe B. Ja dënimet kryesore:
- Davante James: 17 vjet burg
- Rakeem Thomas: 11 vjet e gjysmë
- Lemar Taylor: 7 vjet e gjysmë
- Kian Raymond: 45 muaj
- Jesse Kolo: 5 vjet e 4 muaj
- Lavontie Cameron: 38 muaj
- Taisha Chalmers: 18 muaj dënim me shërbim komunitar
- Jabari Smith dhe Bryony Hajman: të dy me dënime komunitare dhe orë pune pa pagesë

Pako me etiketa të rreme dhe jetë luksoze
Banda përdorte adresa të ndryshme dhe etiketa të rreme – përfshirë pako me përmbajtje “veshje”, “mobilje”, “helmeta motori” – për të kamufluar dërgesat e drogës. Paratë e fituara investoheshin në pushime luksoze në Tajlandë, Dubai, Republikën Domenikane dhe ishuj grekë, si dhe në veshje të shtrenjta, ku një palë atlete kapte çmimin 1,200 paund.
Një nga bashkëpunëtorët, Jesse Kolo, kishte përdorur pozitën e tij si menaxher zyre për të krijuar etiketa postare të falsifikuara që ndihmonin fshehjen e drogës.
“Një mesazh i qartë për kriminelët”
Pas shpalljes së vendimeve, hetuesit shprehën krenarinë për finalizimin e një operacioni të gjatë dhe kompleks. “Kjo është një goditje e madhe ndaj një grupi të organizuar kriminal dhe një mesazh i qartë për këdo që mendon se mund të përfitojë nga trafikimi i drogës,” tha detektivi Ian Smith nga Njësia për Krimin e Organizuar të Nottinghamshire.
Ai shtoi se tani po ndiqen masat e konfiskimit sipas ligjit të të ardhurave nga krimi (Proceeds of Crime Act), për të sekuestruar çdo pasuri të krijuar nga veprimtaria kriminale.
Nga ana e saj, përfaqësuesja e Border Force në Britani, Monique Wrench, theksoi se forcat kufitare janë të përkushtuara për të parandaluar hyrjen e substancave të rrezikshme dhe për të bashkëpunuar me autoritetet përkatëse për të çuar përgjegjësit para drejtësisë.