Disa ditë më parë në një artikull të publikuar në faqen tonë, i cili u kthye në epiqendrën e debatit midis agjentëve të Real Estate në rrjetet tona sociale, jepnim argumenta dhe fakte se përse çmimi i apartamenteve të kullave në qendër të Tiranës, ishte tërësisht fiktiv, manipulues dhe i pa bazuar në asnjë logjike të kërkesës apo ofertës së tregut.
Këto çmime mbahen artificialisht lartë nga paratë e trafiqeve të drogës dhe të korrupsionit politik.
Të dy këta sektorë të nëndheshëm të ekonomisë, që nuk i nënshtrohen konkuerrencës së shëndetshme të tregut, e kishin dopuar artificialisht çmimin, duke shkaktuar një efekt domino, pra duke rritur thuajse me 30-40% edhe çmimin e apartamenteve që blihen nga njerëzit e thjeshtë apo hallexhinjtë.
Mirëpo nuk mund t’i dalësh kundër superstrukturës së tregut në pafundësi.
Dhe në fakt, me vendimin e djeshëm të Guvernatorit, Banka e Shqipërisë ka vendosur një tavan për kërditë që merren nga qytetarët për të blerë shtëpi.
“Maksimumi i huasë në lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj vlera e kredisë do të jetë 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë. Është më e ulët për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit. Kësti ndaj të ardhurave si raport do të jetë në nivelin 40% për monedhën lekë dhe 35% për monedhën në valutë të huaj. Ndërsa për shtëpinë e dytë raporti do të jetë kësti i kredisë jo më shumë se 35% e totalit të të ardhurave dhe për kredinë në valutë sa 30% e totalit të të ardhurave” – njoftonte dje Banka e Shqipërisë.
Pra flluska ka nisur të shfryhet.
Duket se ndërhyrja e BSH është me vend dhe jetike, madje tejet e vonuar. Me këtë ndërhyrje, Banka po frenon kredidhënien, e cila nëse vazhdonte e lirë siç ishte, vetëm sa favorizonte spekuluesit që t’i mbanin çmimet e larta.
Tani që banka ua shtrëngoi rripin, më pak para në treg do të thotë një rënie e mëtejshme e kërkesës, që sjell automatikisht rënien e çmimeve në pikatë për apartamente, ose më saktë rikthimin e çmimeve në normalitet dhe në logjikën e tregut, pas vitesh të tëra abuzimi dhe spekulimesh nga trafikantët dhe politikanët e korruptuar.







