Dy të rinj janë arrestuar nga Policia e Tiranës pasi akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike nga Shtetet e Bashkuara drejt Shqipërisë, përmes shfrytëzimit të shërbimit postar.
Në pranga ranë Kevin Qorpasha, 24 vjeç, dhe Dion Hoxha, 22 vjeç, të dy banues në Tiranë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ata u kapën në flagrancë në një degë postare në Vorë, në momentin kur po tërhiqnin një pako me rreth 1 kg e 52 gramë Cannabis Sativa me përqindje të lartë të substancës psikoaktive THC.
Lënda narkotike ishte dërguar nga SHBA me destinacion final tregun shqiptar, ku dy të rinjtë dyshohet se do ta shisnin me qëllim përfitimi financiar. Policia ka sekuestruar drogën si provë materiale dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrjetin e plotë të trafikut.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Pako 5”, kundër trafikimit të lëndëve narkotike nga ShBA,nëpërmjet postës.
U kapën nga Policia, sapo morën pakon me 1 kg e 52 g Cannabis me përqindje të lartë THC,në një degë postare në Vorë,vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohet pakoja me lëndën narkotike. Në vijim të aksioneve policore intensive,me fokus goditjen e rasteve të trafikimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, nga ShBA, me qëllim shitjen në vendin tonë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale,Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare,finalizoi operacionin “Pako 5”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Kevin Qorpasha.,24 vjeç dhe Dion Hoxha 22 vjeç,të dy banues në Tiranë.
Ata u kapën në flagrancë,menjëherë pasi morën në një degë postare në Vorë, një pako me 1 kg e 52 g Cannabis me përqindje të lartë THC, të trafikuar nga ShBA, me qëllim shitjen në Shqipëri.







