Tre shtetas shqiptarë, të njohur si mbështetës të të shumëkërkuarit Talo Çela, janë arrestuar në Dubai në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Në pranga kanë rënë Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika, të cilët dyshohen për përfshirje në ngjarje të rënda kriminale në Shqipëri dhe më gjerë.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet lokale të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe partnerët ndërkombëtarë të sigurisë. Të tre të arrestuarit akuzohen për pjesëmarrje në grupe të strukturuara kriminale, trafiqe dhe vepra të dhunshme, si dhe për lidhje të ngushta me Talo Çelën – një nga figurat më të kërkuara të botës së krimit shqiptar.
Policia shqiptare ka konfirmuar arrestimet dhe ka nisur procedurat për ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve në kohë reale dhe koordinimit konstant të veprimeve operacionale, mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese në Emiratet e Bashkuara Arabe, realizuar nëpërmjet strukturave të Interpolit, u finalizuan në Dubai, 3 faza të tjera të operacionit “The Wanted”. Konkretisht, u kapën shtetasit:
-E. D., 38 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:
-ka informuar shtetasit që kanë tëntuar të vrasin shtetasin K. P., në lidhje me lëvizjet e tij;
-ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasit A. S.;
-ka strehuar, ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, shtetasit të shumëkërkuar T. Ç.
-M. K., 39 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:
-ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A.;
-ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S.;
-ka ndihmuar shtetasin e shumëkërkuar T. Ç., për t’u fshehur;
-A. Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se:
-për rreth 2 vjet, ka ndihmuar shtetasin T. Ç., duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë;
-ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e shtetasit T. Ç.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët, me qëllim ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri.







