Lisa Small, një 41-vjeçare nga Belleview, Florida, thotë se ka parë parajsën gjatë një përvoje afër vdekjes, pasi u rikthye në jetë dy herë pas ndalimit të frymëmarrjes për shkak të përdorimit të kokainës në vitin 2008. Në atë kohë ishte vetëm 24 vjeç dhe e zhytur në varësinë nga droga dhe alkooli, ku shpenzonte rreth 150 dollarë në ditë për substanca.
Gjatë një mbidoze, Lisa ndaloi së marrë frymë, ndërsa sytë e saj mbetën hapur. I dashuri i saj i atëhershëm i bëri CPR për rreth 40 sekonda, duke i shpëtuar jetën. Por më vonë atë natë, ajo pësoi një tjetër kolaps dhe këtë herë mjekët konstatuan se kishte kaluar arrest respirator – një gjendje kritike ku ndalet frymëmarrja, ndërsa zemra vazhdon të rrahë.
Vetëm 15.9% e pacientëve që kalojnë arrest respirator mbijetojnë pas 5 vitesh, sipas një studimi të botuar në Canadian Medical Association Journal. Por Lisa, e cila sot punon si kameriere, ka shpëtuar pa asnjë dëmtim afatgjatë dhe e përshkruan veten si “feniksi që del nga hiri”.
“Ishte si eufori milionfishuar”
Lisa kujton se kur ndaloi së marrë frymë, u ndodh në një “fushë të madhe të hapur, me një pemë dhe një burrë me mantel të bardhë pranë saj”. Në horizont ndodheshin njerëz, që megjithëse nuk i shihte qartë, ndjente sikur i njihte. “Ishte një ndjesi e mrekullueshme, nuk mund ta përshkruaj. Ishte si eufori në përmasë të jashtëzakonshme”, tha ajo.
Kur pati kolapsin e dytë, ajo thotë se pa të njëjtin skenar: pemën, burrin me mantel të bardhë dhe ndjesinë e po aq fuqishme. “I dashuri më tha që sytë e mi ishin hapur gjatë gjithë kohës, kështu që nuk mund të ketë qenë ëndërr”.
Nga varësia dhe burgosjet, te kthimi te jeta
Megjithë përvojën e afërt me vdekjen, Lisa nuk u bë e pastër deri në vitin 2018, pas më shumë se një dekade të kaluar në varësi nga kokaina, heroina, crack, alkooli dhe droga sintetike ‘flakka’, ku shpenzoi në total rreth 40 mijë dollarë. Ajo gjithashtu u përball me burgosje të shumta dhe periudha të gjata pa strehë.
Ajo e përshkruan varësinë si “një gropë dëshpërimi, si një demon që të mban peng”.
Sot, Lisa i atribuon shpëtimin e saj besimit dhe kishës. Jeton prej gjashtë vitesh në të njëjtën shtëpi dhe ka tre mace që, siç thotë ajo, “e kanë gjetur vetë”.
Më e rëndësishmja për të është ribashkimi me djalin e saj 20-vjeçar, Ayden, i cili punon si pritës në restorantin ku ajo shërben dhe që tashmë jeton me të. “Kjo është hera e parë që kemi jetuar bashkë dhe periudha më e gjatë që kemi kaluar së bashku. Jeta ime ka bërë një 360 të plotë. Çdo gjë ka ndryshuar. Çdo gjë.”
Shkenca dhe përvojat pranë vdekjes
Ndërkohë që përvoja të tilla kanë intriguar mjekët për dekada, disa studime kanë treguar se truri mund të mbetet aktiv edhe pasi zemra ndalon, për një periudhë të shkurtër kohe. Ka edhe raste të aktivitetit të trurit edhe pas një ore pa oksigjen, gjatë përpjekjeve për reanimim.
Këto zbulime kanë çuar disa mjekë të kërkojnë rishikim të kritereve për shpalljen e vdekjes, të cilat aktualisht bazohen në ndalimin e aktivitetit të trurit pas 3-5 minutash pa oksigjen.
Megjithatë, sqarojnë shkencëtarët, kjo nuk ka lidhje me vdekjen cerebrale, e cila është e pakthyeshme, pasi truri nuk funksionon më dhe trupi nuk mund të jetojë pa ndihmë artificiale.











