Në moshën nëntëvjeçare, Kristina Pimenova nga Moska u pagëzua nga media ndërkombëtare si “vajza më e bukur në botë”, falë syve të kaltër dhe flokëve biondë me nuancë mjaltë. Sot, në moshën 19-vjeçare, ajo ndjek studimet në shkollë aktrimi dhe vijon të punojë si modele për marka të mëdha si Vogue, Armani dhe Burberry.
Por fama e hershme e saj nuk erdhi pa kosto. Nëna e saj, Glikeriya Pimenova – ish-modele dhe menaxhere e rrjeteve sociale të Kristinas – u përball me akuza për “seksualizim” të vajzës, pasi publikoi foto të saj kur ishte ende fëmijë. Kritikët ngritën shqetësime për pozat “adult” të vajzës në disa imazhe. Glikeriya u përgjigj në një intervistë për MailOnline në vitin 2014:
“Duhet të mendosh si një pedofil për të parë diçka seksuale në këto foto. Është koha që ata të vizitojnë një mjek.”
Ajo theksoi se të gjitha pozat ishin spontane dhe se Kristina shpesh nuk e pëlqente të fotografohej. “Unë i bëja fotot shpejt, kur ajo nuk e vinte re.”
Pavarësisht kritikave, Kristina vazhdoi të triumfonte në industrinë e modës dhe kaloi me sukses në botën e aktrimit. Sot, ajo ka luajtur role në filma si The Russian Bride, Secret Neighbour dhe Creators: The Past, ndërsa interpreton role nga klasikët si Krimi dhe Ndëshkimi i Dostojevskit në kuadër të studimeve të saj.
Nëna e saj thekson se Kristina ka patur një fëmijëri të lumtur, larg asaj që përshkruajnë komentuesit. “Njerëzit që nuk na njohin, gjykojnë pa kuptuar. Vajza ime ka një jetë normale, me shkollë, sport, miq dhe ëndrra.”
Kristina, që ka qenë edhe një gjimnaste e suksesshme, i përdorte sesionet fotografike si “pushim nga rutina”. Me mbi 2.4 milion ndjekës në Instagram, ajo vazhdon të ndajë momente nga jeta e saj artistike dhe personale – duke dëshmuar se, ndonëse rritja e saj ndodhi nën dritën e fortë të kamerave, ajo sot po ndërton karrierën e vet në mënyrë të pavarur dhe me dinjitet.











