FLASH :

Brenda fabrikës së Waymo: Si ndërtohet e ardhmja e robotaksive

Nga Alan Ohnsman | Forbes

Në periferi të Phoenix, Arizona, një fabrikë 22 mijë metra katrorë po prodhon qindra robotaksi që pritet të revolucionarizojnë mënyrën si lëvizim. Në këtë ambient të qetë, larg zhurmës së zakonshme të linjave klasike të montimit, inxhinierë dhe teknikë të Waymo – një njësi e Google/Alphabet – po transformojnë automjetet elektrike Jaguar I-PACE në taksi autonome të pajisura me inteligjencë artificiale, radarë, kamera dhe sensorë lidar.

“Për të përmbushur objektivat tona pesëvjeçare, kjo fabrikë duhet të prodhojë dhjetëra mijëra automjete në vit,” – thotë Kent Yiu, drejtues i prodhimit të automjeteve në Waymo dhe ish-menaxher në Apple dhe General Motors.

Nga testime në rrugë, në prodhim në shkallë të gjerë

Që prej nisjes së shërbimit publik në Phoenix në vitin 2020, Waymo ka zgjeruar praninë e saj në San Francisko, Los Angeles, Austin dhe së shpejti në Atlanta, Miami dhe Washington D.C. Aktualisht, flota prej 1,500 robotaksish ofron mbi 250,000 udhëtime çdo javë, me plane që kjo shifër të arrijë mbi 1.5 milion në javë sapo të hyjnë në qarkullim 10,000 mjete të reja.

Nëse ky vizion realizohet, të ardhurat vjetore të Waymo mund të arrijnë në 2 miliardë dollarë, nga rreth 100 milionë që vlerësoheshin vitin e kaluar.

Si lind një robotaksi

Çdo Jaguar I-PACE mbërrin në fabrikën e Mesa-s me karroceri të përgatitur për modifikim. Pjesët e jashtme hiqen për të montuar sistemin e kabllove, kompjuterët qendrorë, radarët, kamerat dhe kutinë e sipërme karakteristike të Waymo-s – që përmban sensorin kryesor lidar dhe sistemin e vëzhgimit 360 gradë.

Procesi përfundon me testime në terren për kalibrimin e sistemit dhe, për mjetet që i bashkohen flotës së Phoenix-it, udhëtimi drejt shërbimit fillon aty për aty: “Në 30 minuta janë në zonën e shërbimit dhe nisin të mbledhin pasagjerë,” – thotë Yiu.

Flota e së ardhmes dhe sfida e tarifave

Përveç Jaguarëve, flota do të zgjerohet me dy modele të reja më ekonomike: një furgon elektrik nga Zeekr (markë kineze në pronësi të Geely, që zotëron edhe Volvo) dhe Hyundai Ioniq 5, që do të prodhohet në fabrikën e re të gjigantit korean në Georgia.

Por planet me Zeekr janë komplikur nga tarifat e reja amerikane për produktet kineze. Nën administratën Trump, tarifat janë rritur në 145%, duke e bërë më të kushtueshme importin edhe nëse montimi bëhet në SHBA. Megjithatë, Waymo ka nisur testimet me dhjetëra Zeekr blu në Arizona dhe ka përfunduar testimet për aksidentet.

Dallimi me Tesla dhe epërsia e sigurisë

Ndryshe nga rivalë si Tesla, që synon të prodhojë robotaksi me kosto minimale dhe sensorë më të thjeshtë, Waymo beson se siguria vjen nga sofistikimi. Ndaj, kompania ka zhvilluar të gjitha pajisjet – nga lidarët, radarët, kamerat dhe kompjuterët – me teknologji të vetën dhe përmes rrjetit të furnitorëve globalë të Alphabet.

Waymo pret që versioni i gjashtë i pajisjeve të saj, që do të lançohet këtë vit, të jetë më i lirë se gjeneratat aktuale – megjithëse tarifat e reja mund ta ngadalësojnë këtë përfitim.


Waymo, njëherë projekt eksperimental i Google, është në pragun e një transformimi ekonomik. Me një flotë gjithnjë e në rritje, prodhim të brendshëm të teknologjisë, dhe shtrirje gjeografike të shpejtë, e ardhmja e transportit autonom duket se po vjen – një makinë e bardhë, pa shofer, që të pret në terminalin e aeroportit.