Tiranë – Në fushatën zgjedhore të vitit 2021, “fuqia e lekut” ka folur më qartë se kurrë. Partia Socialiste (PS), në pushtet në atë kohë dhe ende sot, ka dominuar pa konkurrencë në mbledhjen e donacioneve, duke grumbulluar shifra që e bëjnë të duket më shumë si një korporatë sesa si një forcë politike.
Nga të dhënat zyrtare, PS dhe kandidatët e saj përfituan plot 17 162 800 lekë në donacione, me 83% të tyre në para të thata – pra 14 245 240 lekë – dhe pjesën tjetër në natyrë. Në këtë garë të pabarabartë, Partia Demokratike (PD), edhe pse konsiderohet partia më e madhe opozitare, nuk arriti të mbledhë më shumë se 2 552 601 lekë – të gjitha në natyrë dhe asnjë qindarkë në para, ose të paktën këto janë ato që ajo ka deklaruar.
LSI më e pasur apo më transparente se PD?
Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), për çudi, kaloi PD-në me një total prej 8 217 807 lekësh – me pjesën dërrmuese të tyre që dolën nga xhepat e vetë kandidatëve.
Por çfarë ndodh kur hiqen nga llogaritë donacionet e vetë kandidatëve? PS mbetet lart me 17.1 milionë lekë nga burime të jashtme, LSI bie në 3.1 milionë lekë, ndërsa PD futet në vendin e tretë me 2.2 milionë lekë – një ironi politike për një parti që synon pushtetin, por që mezi grumbullon donacione për ta arritur.
Dy financuesit më të mëdhenj të Metës i “kullufiti” Rama
Për më tepër, mes atyre që në 2021 shpenzonin para për ta çuar LSI-në në pushtet janë figura që sot kanë ndërruar fanellën. Agron Çela, ish-deputet dhe kandidat i LSI-së, është tani pjesë e Partisë Socialiste, ndërkohë që në atë kohë kishte vënë para në dispozicion të fushatës së Ilir Metës. I njëjti rast është edhe me Vangjel Tavon, një tjetër eksponent që kontribuoi financiarisht për LSI-në në 2021, ndërsa sot është pjesë e mazhorancës socialiste.
Në këtë panoramë financiare të fushatës, duket qartë se Partia Socialiste ka pasur jo vetëm më shumë mbështetje financiare, por edhe më shumë njerëz që sot, ndonëse dikur shpenzonin për opozitën, kanë gjetur strehë tek partia në pushtet – ndoshta për të siguruar që “leku të mos bëhet vetëm letër”.
Shifrat mesatare flasin vetë:
• Një donator i PS ka dhënë mesatarisht 135 140 lekë.
• Një donator i PD-së ka dhënë vetëm 38 813 lekë.
• Një donator i LSI-së, ndonëse shpesh vetvetja, ka dhuruar rreth 29 252 lekë.
Në një vend ku financimi i fushatës mund të vendosë edhe rezultatin e saj, kjo ndarje e pabarabartë e burimeve ngre pikëpyetje jo vetëm për barazinë në garë, por edhe për drejtësinë politike në vetvete. Siç duket, në politikën shqiptare, nuk ka rëndësi vetëm kush kandidon apo çfarë premton, por mbi të gjitha: kush ka më shumë lekë dhe kujt i ka dhënë sot… e kujt do t’i japë nesër.
Transparenca e qarkullimit të parave në fushata vijon të mbetet një shqetësim i madh publik, sidomos kur fondet vijnë nga individë që më pas përfundojnë në pushtet – ose përfitues të tij. Pyetja që lind është: a janë këto donacione vërtet mbështetje politike, apo parapagim për favore të ardhshme dhe sa btransparente janë të gjitha financat që vërtet kanë partitë, duke llogaritur dhe financimet në të zezë dhe të pa deklaruara?







