Portieri zviceran i Interit, Yann Sommer, ka ndezur imagjinatën e botës së futbollit pas një performance të jashtëzakonshme në gjysmëfinalen dramatike të Champions League kundër Barcelonës, që përfundoi me rezultatin 4-3 për zikaltërit.
Në moshën 36-vjeçare, Sommer u shpall “Njeriu i Ndeshjes” falë pritjeve të tij vendimtare që mbajtën gjallë shpresat e Interit për finalen. Në veçanti, ndërhyrja e fundit ndaj talentit të Barcelonës, Lamine Yamal, u cilësua nga vetë portieri si “pritje e veçantë” që vendosi fatin e takimit.
“Jam shumë i lumtur, ishte një ndeshje e jashtëzakonshme. Shumë ekipe do të kishin ‘vdekur’ në 3-2, por ne nuk u dorëzuam”, deklaroi Sommer pas sfidës për ‘Sky’.
Pikërisht këto pritje bënë që prestigjiozja spanjolle “Marca” të ngrejë një pyetje befasuese, por provokuese: “A është koha që ‘Topi i Artë’ të shkojë te një portier?” Në një vit pa një favorit të qartë për çmimin më të madh individual, gazeta madrilene sugjeron se nëse Interi fiton finalen, Yann Sommer mund të jetë kandidati ideal.
Një triumf në Champions dhe një tjetër paraqitje heroike mund të ndryshojë historinë dhe t’i japë Sommerit atë që i është mohuar prej kohësh shumë portierëve: një vend në majën e futbollit botëror.