CHICAGO – Një kozmetologe britanike, e akuzuar për kontrabandimin e kokainës me vlerë 6.2 milionë dollarë në Aeroportin O’Hare të Çikagos, tentoi të mashtronte autoritetet amerikane të emigracionit për ta deportuar në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim që t’i shpëtonte drejtësisë, pretendojnë prokurorët.
Kimberly Hall, 29 vjeçe nga Middlesbrough, dyshohet se iu paraqit zyrtarëve të Emigracionit dhe Doganave (ICE) në shkurt 2025, pasi ishte liruar me një byzylyk elektronik ndjekjeje.
Ajo kishte rezervuar një fluturim për në Britani dhe ishte gati të largohej nga Illinois, por prokurorët e Qarkut Cook mësuan për planin dhe ndërhynë në minutën e fundit, raportoi Chicago Tribune.
Gjykatësi Michael McHale e cilësoi përpjekjen e Hall si “pothuajse të suksesshme” dhe urdhëroi heqjen e masës së mbikëqyrjes elektronike, duke e rikthyer në burg. Sipas tij, Hall kishte një biletë të konfirmuar për t’u kthyer në Angli para se autoritetet ta ndalonin.
Ende nuk është bërë e qartë nëse zyrtarët e ICE ishin në dijeni të akuzave të ngritura ndaj Hall kur po e ndihmonin të largohej nga vendi.
Hall u arrestua në gusht 2024 në Aeroportin O’Hare, sapo kishte zbritur nga një fluturim nga Cancuni i Meksikës. Sipas akuzës, ajo po transportonte 43 kilogramë kokainë dhe ishte nisur drejt Manchester-it në një fluturim lidhës për në Britani.
Ajo u tha hetuesve se valixhet ia kishin dhënë dy burra gjatë qëndrimit në Meksikë dhe se i kishin kërkuar t’i çonte në Angli, duke pretenduar se ato përmbanin rreth 250 mijë dollarë në para të gatshme.
Avokati i saj, Brandon Hall, e minimizoi përfshirjen e saj në rast, duke thënë: “Kimberly është një peshk shumë i vogël në një skemë shumë më të madhe.”
Pas arrestimit, Hall u akuzua për dy krime të klasës X – trafikim të substancave të kontrolluara dhe posedim me qëllim shpërndarjeje – dhe u padit nga një juri në shtator 2024. Pavarësisht kërkesës së prokurorëve për ta mbajtur në paraburgim si rrezik për arratisje, gjykata e liroi me kusht, duke i kërkuar të dorëzonte pasaportën dhe të mbante byzylykun elektronik.
Avokati aktual i Hall, z. Carter, thotë se klientja e tij nuk po përpiqej të arratisej, por thjesht kishte shkuar në zyrat e ICE për të pyetur për mundësi punësimi në SHBA. “Një punonjës e pa pajisjen e mbikëqyrjes dhe mendoi se ishte vendosur nga ICE, prandaj e udhëzoi të shkonte në zyrën e tyre”, thuhet në parashtresën e tij.
Carter madje fajësoi “administratën e paparashikueshme Trump” për incidentin, duke sugjeruar se zyrtarët e ICE kishin reaguar tepër ndaj një pyetje të pafajshme.
Avokati kërkon që Hall të lirohet sërish nga burgu. Seanca për shqyrtimin e kësaj kërkese është caktuar për më 16 maj.
Në intervistat e dhëna gjatë arrestimit shtëpiak, Hall këmbëngul se është e pafajshme dhe se kishte pranuar udhëtimin në Meksikë si pjesë e një “pushimi falas” që iu ofrua gjatë një vizite në Portugali, duke shtuar se “nuk kishte dyshuar fare” te njerëzit që ia propozuan udhëtimin.
Nëse shpallet fajtore, Hall përballet me një dënim deri në 60 vjet burg.











