FLASH :

Konklava në Vatikan nis me rregulla të hekurt: Kardinali britanik Timothy Radcliffe ndër të parët që mbërrin për zgjedhjen e Papës së ri

Një ndër figurat më të njohura të Kishës Katolike në Britani, Kardinali Timothy Radcliffe, 79 vjeç, ishte ndër të parët që mbërriti në Vatikan të martën për të nisur procesin e konklavës që do të zgjedhë Papën e ri. Ai është një nga tre kardinalët britanikë që do të marrin pjesë në votimin historik që pritet të nisë pasditen e sotme në Kapelën Sistine.

Në Vatikan kanë zbritur gjithsej 133 kardinalë me të drejtë vote, përfaqësues nga 70 shtete të pesë kontinenteve – duke e bërë këtë konklavën më të madhe në histori. Për shkak të numrit të madh, përveç rezidencës tradicionale në shtëpinë Santa Marta, disa prej tyre janë sistemuar në ndërtesën ngjitur, Santa Marta Vecchia.

Kardinali Radcliffe, i cili u emërua kardinal vetëm në dhjetor nga Papa Françesku – pak para se Papa argjentinas të ndërronte jetë më 31 mars, në moshën 88-vjeçare – u pa duke zbritur nga makina me një valixhe të vogël në dorë. Ai përshëndeti gazetarët me buzëqeshje, por nuk komentoi mbi votimin sekret.

Radcliffe, i lindur në Londër, është teolog i respektuar, ish-udhëheqës i Urdhrit Domenikan dhe i lidhur ngushtë me Universitetin e Oksfordit. Megjithëse e konsideron veten “jashtë garës”, ai renditet si kandidat i mundshëm me koeficient 30-1 për t’u zgjedhur Papa i ri.

Vatikani ka vendosur masa të rrepta sigurie për konklavën. Telefona do t’u konfiskohen kardinalëve në rezidencën Santa Marta dhe do t’u kthehen vetëm pas përfundimit të procesit. Zona rreth Kapelës Sistine dhe rezidencave do të mbulohet me pajisje për bllokimin e sinjaleve elektronike, për të shmangur çdo komunikim apo përgjim të mundshëm.

Sistemi i votimit është ndër më sekretët në botë. Kardinalët lëvizin me autobusë të mbyllur, drekojnë me staf laik që ka dhënë betim për heshtje dhe çdo votë do të zhvillohet në mënyrë të koduar.

Në takimin e 11-të të përgjithshëm përgatitor të mbajtur të hënën, kardinalët diskutuan për sfidat e Kishës – nga migracioni dhe konfliktet etnike, te e ardhmja e fesë në një botë të fragmentuar. Sipas zëdhënësit të Vatikanit, Matteo Bruni, është kërkuar një Papa “pastoral”, që fokusohet te dialogu dhe ndërtimi i marrëdhënieve.

Nuk dihet se sa do të zgjasë konklava – disa kanë zgjatur një ditë, të tjera javë. Por shenja që bota pret me padurim është një: kur nga oxhaku i Kapelës Sistine del tym i bardhë dhe dëgjohet shpallja historike në latinisht – Habemus Papam.