Rubia Daniels, një nënë e tre fëmijëve dhe eksperte në planifikim urban, ka realizuar një transformim të jashtëzakonshëm në qytetin e vogël të Mussomelit në Sicili. Ajo bleu gjashtë vila të rrënuara për vetëm nga një euro secila, falë një skeme të qeverisjes vendore që synon rigjallërimin e banesave të braktisura. Me një total prej 24 mijë eurosh për shpenzimet administrative dhe ligjore, Rubia arriti të kthejë rrënojat në banesa të jetueshme e plot stil.
Shumica e shtëpive ishin në gjendje të mjerueshme, me çati të shembura, mungesë uji dhe energjie elektrike. Por falë përvojës 16-vjeçare në industrinë e ndërtimit, Rubia nuk u tremb: “Kur të tjerët shohin rrënoja, unë shoh potencial,” – thotë ajo.
Në prill 2019 ajo bleu tri prona për vete dhe përfundoi dokumentacionin edhe për një shtëpi për vajzën e saj të adoptuar dhe dy të tjera për hallat. Sot, disa prej banesave janë gati për banim dhe Rubia shpreson që familjarët dhe miqtë e saj të zhvendosen për të jetuar apo dalë në pension në këtë qytet të qetë italian.
Rubia thotë se synon të shndërrojë një prej vilave në një qendër mirëqenieje për yoga dhe meditim: “Kjo është mënyra ime për t’i kthyer diçka komunitetit.”
Ajo punoi krah për krah me bashkëshortin dhe kunatin, duke sjellë madje dhe gjeneratorin e saj nga San Francisko për të nisur punimet. Investimi për rinovimin e banesës së parë arriti në rreth 60 mijë euro, me objektivin që të mos ketë nevojë për ndonjë punë tjetër për 50 vitet e ardhshme.
“Kur u thashë njerëzve se do të blija gjashtë vila për nga një euro, më morën për të çmendur,” – kujton ajo. “Por kur punon me zemër dhe përkushtim, gjithçka është e mundur.”
Sot, me mobilje të prodhuara lokalish dhe një atmosferë të ngrohtë e të ngadaltë larg stresit të Kalifornisë, Rubia e quan Mussomelin “shumë më të bukur se Kalifornia” – një vend ku njerëzit të pyesin si je me të vërtetë dhe ku jeta është e thjeshtë dhe e ndershme.

















