Në një intervistë ekskluzive për BBC, ish-presidenti amerikan Joe Biden ka dënuar ashpër presionin e administratës Trump ndaj Ukrainës për të lëshuar territor ndaj Rusisë, duke e quajtur këtë qasje “apazhitë moderne”.
Duke folur nga Delaware, në intervistën e parë që pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Biden tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk do ndalet nëse merr një pjesë të Ukrainës. “Kushdo që mendon se ai do të ndalet nëse i jepet diçka, është thjesht budalla”, tha ai.
Në prag të 80-vjetorit të Ditës së Fitores në Europë, Biden shprehu shqetësim për raportet SHBA–Europë, të cilat sipas tij mund të dëmtohen rëndë nën udhëheqjen e Trump. “Kjo do ta ndryshonte historinë moderne të botës”, paralajmëroi ai.
I pyetur për mbështetjen që i dha Ukrainës gjatë presidencës së tij, Biden tha se Shtëpia e Bardhë e tij u tregua e gatshme të reagojë “më agresivisht nëse Putini vepronte sërish”, duke theksuar se vendi i tij “i dha Ukrainës gjithçka që i nevojitej për të mbrojtur pavarësinë”.
Komentet e tij vijnë pas deklaratave të administratës aktuale, ku zëvendëspresidenti JD Vance propozoi një plan paqeje që do “ngrinte vijat aktuale territoriale”, ndërsa Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth e quajti “të parealizueshëm” rikthimin në kufijtë e vitit 2014.
Biden paralajmëroi se kjo qasje do nënkuptonte nënshtrim ndaj një diktatori: “Nuk e kuptoj si mund të mendojnë disa se t’i japësh një tirani territore që nuk i takojnë do ta kënaqë atë. Është marrëzi”.
Ai kritikoi gjithashtu deklaratat e Trump për rikthimin e Kanalit të Panamasë, blerjen e Grenlandës apo shndërrimin e Kanadasë në shtetin e 51-të amerikan. “Çfarë presidenti flet kështu? Kjo nuk është Amerika,” tha Biden. “Ne jemi për liri, demokraci dhe mundësi – jo për konfiskime.”
Ish-presidenti u ndal edhe te përplasjet e fundit mes Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e quajtur sjelljen e Trump ndaj liderit ukrainas “poshtëruese për Amerikën”.
Duke folur për aleancat, Biden tha se Trump nuk kupton fuqinë e bashkëpunimit. “Ka përfitime. Na kursen para në fund të ditës. Aleancat janë fuqi,” shtoi ai.
Në lidhje me vendimin për të mos garuar për rizgjedhje në 2024, Biden u shpreh se megjithëse ishte e vështirë, ishte vendimi i duhur. “Gjërat lëvizën shumë shpejt. Vendimi nuk ishte i lehtë, por ishte i drejtë,” tha ai.
Biden tha se ai kishte lënë një ekonomi në rritje dhe një Amerikë me ndikim pozitiv ndërkombëtar. Ndërsa për 100 ditët e para të mandatit të dytë të Trump, u përgjigj shkurt: “Le ta gjykojë historia. Nuk shoh asgjë triumfuese.”







