FLASH :

Mirë se vini në ceremoninë më të fshehtë në botë: Kardinalët përshëndeten me botën para se të izolohen për të zgjedhur Papën e ri

Mbi 100 kardinalë nga e gjithë bota janë mbledhur sot në Vatikan, në prag të njërit prej momenteve më të rëndësishëm dhe misteriozë të Kishës Katolike: konklavës për zgjedhjen e Papës së ri.

Ky proces, që daton që nga viti 1276, do të zhvillohet në Kapelën Sistine, ku 133 kardinalë elektues, të gjithë nën moshën 80 vjeç, do të mbyllen pa asnjë kontakt me botën e jashtme deri në momentin që do të shpallet papa i ardhshëm.

Asnjë prej kardinalëve nuk pranoi të komentonte para mediave teksa mbërritnin në Vatikan, të ndjekur nga blicet dhe mikrofonët e gazetarëve. Pasdite, ata do të vendosen në ambientet e Shtëpisë Santa Marta dhe ndërtesës ngjitur Santa Marta Vecchia.

Sekretësi totale: Vatikani “fik” sinjalin

Që nga e mërkura, në orën 15:00, Vatikani do të ndërpresë sinjalet telefonike dhe çdo pajisje komunikimi brenda qytet-shtetit për të garantuar fshehtësinë absolute të votimit. Kardinalët nuk lejohen të marrin me vete telefona, regjistrues ose laptopë. Çdo shkelje e betimit të sekretit ndëshkohet me përjashtim automatik nga Kisha.

Rreth 100 punonjës mbështetës, përfshirë përkthyes, mjekë, kuzhinierë dhe rrëfyes, kanë dhënë tashmë betimin për të mos zbuluar asgjë nga çfarë ndodh brenda.

Papa i ardhshëm: Reformat ose kthim tek tradita?

Papa Françesku, i cili ndërroi jetë më 21 prill, u përshëndet si një reformator i guximshëm. Por edhe pse 80% e kardinalëve elektues janë emëruar prej tij, nuk është e sigurt që do të zgjedhin një pasues që ndjek të njëjtin kurs.

Shumë vëzhgues besojnë se një kthim drejt konservatorizmit është i mundshëm, ndërsa disa emra në qarkullim vijnë nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine, duke reflektuar përbërjen më ndërkombëtare të një konklave në histori.

Çfarë ndodh brenda Kapelës Sistine?

Procesi fillon me një meshë në Bazilikën e Shën Pjetrit. Më pas, kardinalët nisen drejt Kapelës Sistine, ku pas betimit për sekretësi, fillon votimi. Me urdhrin “extra omnes” (“të gjithë jashtë”), dera mbyllet – dhe fillon momenti më i pritur nga bota katolike.

Secili kardinal shkruan emrin e kandidatit të tij në një fletë votimi dhe e hedh në urnë. Nëse asnjë nuk merr shumicën dy të tretat, votimi përsëritet. Ka dy votime paradite dhe dy pasdite, çdo ditë.

Çdo fletë votimi digjet në një sobë të veçantë. Tym i zi nënkupton që nuk është zgjedhur ende papa i ri, ndërsa tym i bardhë është sinjali historik që bota ka një Papë të ri.

Sa zgjat konklava?

Nuk ka kufi kohor, edhe pse në kohët moderne zakonisht zgjat pak ditë. Konklava për Papa Françeskun zgjati vetëm dy ditë në vitin 2013. Konklava më e gjatë në histori zgjati 34 muaj, nga 1268 deri më 1271.

Nëse votimet nuk japin rezultat pas disa ditësh, kardinalët ndalojnë për një ditë lutjeje dhe reflektimi. Në raunde të mëvonshme, mund të votohet vetëm mes dy kandidatëve më të votuar.

Bota në pritje të tymit të bardhë

Ndërkohë që bota mban frymën, kardinalët janë mbyllur në një proces që kombinon demokracinë, besimin dhe një nga ritet më të lashta të Kishës. Në ditët në vijim, nga ajo dritare e vogël e Kapelës Sistine do të dalë një sinjal i bardhë – dhe bota do të njohë Papa-n e 267-të në histori.