Në dhjetor, një koalicion grupesh rebele të udhëhequr nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS) rrëzoi në mënyrë të papritur regjimin e Bashar al-Assad, duke i dhënë fund sundimit gati pesëdekadësh të familjes së tij në Siri. Udhëheqësi i HTS-së, Ahmed al-Shara, ka marrë kontrollin e vendit të shkatërruar nga 13 vite luftë civile, dhe tashmë fuqitë rajonale po përpiqen ta ndikojnë sjelljen e qeverisë së re.
Turqia është shfaqur si fuqia dominuese ushtarake në Siri, duke thelluar ndikimin e saj për të frenuar autonominë kurde dhe për të lehtësuar kthimin e rreth tre milionë refugjatëve sirianë që ndodhen në territorin turk. Por, edhe Izraeli ka hyrë fuqishëm në lojë: pas përmbysjes së Assadit, Tel Avivi ka kapur një zonë tampon në jugperëndim të Sirisë, pranë Lartësive të Golanit, dhe ka bombarduar qindra caqe ushtarake siriane për të parandaluar përforcimin e forcave të reja islamiste.
Marrëdhëniet mes Izraelit dhe Turqisë janë bërë gjithnjë e më të tensionuara. Erdogan ka sulmuar publikisht Izraelin, ndërsa në terren të dy shtetet po ndërtojnë “sfera influence” rivale brenda Sirisë. Izraeli është veçanërisht i shqetësuar se Ankaraja mund të instalojë sisteme mbrojtjeje ajrore pranë bazës T4 në Siri, gjë që e ka shtyrë Tel Avivin të kryejë bombardime më 2 prill për të ndalur këtë zhvillim.
Ndërkohë, liderët izraelitë ndihen të braktisur nga Shtetet e Bashkuara: Presidenti i ri Donald Trump ka njoftuar se do të përgjysmojë praninë ushtarake amerikane në Siri dhe se “SHBA nuk duhet të ketë më punë me këtë vend”. Në këtë boshllëk të krijuar nga tërheqja amerikane, Izraeli druhet se Turqia do të zgjerojë më tej kontrollin në Siri.
Tel Avivi gjithashtu ka frikë se qeveria e re islamiste në Damask, ndonëse deklarativisht është distancuar nga ekstremizmi, mund të bëhet një kërcënim i ngjashëm me Hamasin në Gaza. “Nuk mund të kemi më xhihadistë pranë kufijve tanë”, tha ministri i Mbrojtjes Izrael Katz, duke e akuzuar Sharan për lidhje me Al-Kaedën.
Por mes frikës dhe sulmeve, ekziston edhe një shteg për dialog. Turqia dhe Izraeli kanë zhvilluar një takim të fshehtë në Azerbajxhan në prill dhe janë të vetëdijshëm se një përplasje e drejtpërdrejtë ushtarake do të ishte katastrofale. Sipas analizës, Izraeli duhet të vendosë kushte të qarta për qeverinë e re siriane dhe të bëjë të ditur se prania e tij ushtarake në Siri është e përkohshme. Një bashkëpunim më i madh me Turqinë në frenimin e ndikimit iranian mund të përbëjë një pikë takimi strategjik për të dyja palët.
Në një moment historik kur regjimi i ri sirian ende nuk është konsoliduar dhe pozicionet politike janë të paqarta, Ankaraja dhe Tel Avivi duhet të shmangin konfrontimin dhe të përpiqen të ndërtojnë një rend të ri rajonal që shmang rikthimin e kaosit.







