Pas një ngërçi gjashtëmujor politik, Gjermania pritet të ketë sot qeverinë e saj të re. Friedrich Merz, kreu i CDU-së, dështoi në raundin e parë të votimit për kancelar duke marrë vetëm 310 vota – gjashtë më pak se shumica absolute e nevojshme. Megjithatë, në raundin e dytë pritet të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në krye të ekzekutivit federal, me mbështetjen e koalicionit të ri të formuar mes Unionit konservator dhe socialdemokratëve (të ashtuquajturit “zi-kuq”).
Nga Bundestagu në Bellevue e sërish në Bundestag: ceremonia e transferimit të pushtetit
Në orën 09:00, Bundestagu mblidhet për votimin zyrtar, pa fjalime, ku Merz duhet të sigurojë 316 vota. Menjëherë pas miratimit, ai do të marrë emërimin zyrtar nga Presidenti Frank-Walter Steinmeier në rezidencën presidenciale Bellevue dhe do të kthehet për të bërë betimin para Parlamentit në orën 12:00. Ceremonia përfshin edhe dorëzimin e detyrës nga kancelari në largim Olaf Scholz, i cili përfundon mandatin pas 1245 ditësh në krye të qeverisë.
Formimi i kabinetit të ri dhe lëvizjet e para ndërkombëtare
Pasi të ketë bërë betimin, Merz do të shoqërohet sërish nga Steinmeier për të emëruar zyrtarisht ministrat e rinj. Në orën 13:30, ministrat do të bëjnë betimin në Bundestag, ndërsa në orën 15:00 do të realizohet dorëzimi simbolik i zyrës së kancelarit. Qeveria e re pritet të nisë punën menjëherë: vizitat e para të Merz si kancelar janë parashikuar në Francë dhe Poloni, ndërsa të premten ai do të udhëtojë në Bruksel për takime me krerët e BE-së dhe NATO-s.







