Policia e Durrësit ka zbardhur në kohë rekord plagosjen e rëndë me thikë të një 21-vjeçari, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme në lagjen nr. 13, në afërsi të zonës së njohur si “Baza e Hekurudhave”.
Në kuadër të operacionit të koduar “Baza”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin Ergys Pjeçi, 38 vjeç, i dyshuar si autor i plagosjes së shtetasit L. I., 21 vjeç, banues në Durrës. Viktima u paraqit në Spitalin Rajonal të qytetit me plagë të rënda të shkaktuara nga mjet prerës.
Gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, policia sekuestroi thikën me të cilën dyshohet se është kryer krimi, si dhe pajisje të dyshuara për prodhimin e kriptomonedhave. Po ashtu, u konstatua edhe një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, që përdorej për furnizimin e këtyre pajisjeve.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe ata të Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Durrësit po vijojnë veprimet hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e paligjshme të 38-vjeçarit.
Ergys Pjeçi akuzohet për një sërë veprash penale, përfshirë:
- “Plagosja e rëndë me dashje”,
- “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”,
- “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”,
- “Fshehja e të ardhurave”
- “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.







