Një zjarr i madh ka shpërthyer në qytetin bregdetar të Port Sudanit pas një sulmi me dronë, që besohet se janë lëshuar nga forcat paramilitare të Rapid Support Forces (RSF), duke goditur një depo karburanti dhe disa objektiva të tjerë kyç në qytet. Sipas dëshmitarëve dhe burimeve nga vendngjarja, janë dëgjuar disa shpërthime të fuqishme dhe tym i zi i dendur është parë të ngrihet mbi zonën e portit kryesor të vendit.
Port Sudani, që deri tani kishte mbetur i paprekur nga përleshjet e drejtpërdrejta, është shndërruar në një epiqendër të re të konfliktit që prej të dielës. Sipas raportimeve të gazetarit të Al Jazeera-s, Hiba Morgan, nga kryeqyteti Kartum, banorët besojnë se sulmet janë kryer nga dronë të RSF-së, duke goditur një depo karburanti, Aeroportin Ndërkombëtar të Port Sudanit dhe një hotel pranë godinave qeveritare.
Hoteli i goditur ndodhet afër Shtëpisë së Vizitorëve Presidenciale, ku zakonisht punon dhe mirëpret të ftuar komandanti i Forcave të Armatosura të Sudanit, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan.
Port Sudani ka qenë një qendër jetike për ushtrinë sudaneze dhe gjithashtu një strehë për qindra mijëra të zhvendosur gjatë konfliktit dyvjeçar mes ushtrisë dhe RSF-së. Në këtë qytet kanë vendosur bazat e tyre edhe Kombet e Bashkuara, organizatat humanitare dhe ministritë e kontrolluara nga ushtria.
Përshkallëzimi i dhunës në këtë qytet bregdetar në Detin e Kuq përbën një kthesë dramatike në luftën që ka shkaktuar krizën më të rëndë humanitare në botë. Goditjet në infrastrukturën jetike, si porti dhe aeroporti, rrezikojnë të përkeqësojnë më tej situatën, duke vënë në rrezik jetët e civilëve dhe përpjekjet për ndihmë ndërkombëtare.