FLASH :

Pushime më të shtrenjta dhe euro më e dobët: Shqiptarët kufizojnë udhëtimet jashtë vendit

Shqiptarët po tregohen më të përmbajtur në rezervimet për pushime jashtë vendit këtë vit, për shkak të rritjes së çmimeve dhe rënies së vlerës së euros.

Agjencitë turistike raportojnë një rënie të ndjeshme të prenotimeve, vetëm pak javë para fillimit zyrtar të sezonit veror. “Ka një rënie të lehtë në numrin e rezervimeve, megjithatë kemi edhe prenotime për periudhën e mes sezonit. Arsyeja kryesore duket të jenë çmimet më të larta të paketave. Rënia e euros ka ndikuar gjithashtu, pasi shumë hotele kanë rritur çmimet me 100 deri në 200 euro krahasuar me një vit më parë”, deklaron turoperatorja Seidini.

Për të përballuar kostot më të larta, shumë qytetarë po ndryshojnë stilin e pushimeve, duke zgjedhur paketa më ekonomike.

“Ka alternativa më të lira që përfshijnë mëngjes dhe darkë – paketa gjysmë ose plotësisht all inclusive – të cilat ndihmojnë për të ulur shpenzimet. Për familjarët, Greqia dhe Turqia mbeten zgjedhjet më të preferuara, ndërsa këtë vit po rritet ndjeshëm interesi për Italinë, falë fluturimeve low cost. Çiftet e reja po e preferojnë gjithnjë e më shumë. Në Greqi, përveç Korfuzit dhe Halkidikit, po kërkohen gjithashtu Kreta, Mykonos dhe Santorini”, shton Seidini.

Tendenca drejt linjave ajrore me kosto të ulët dhe fluturimeve direkte po transformon mënyrën si planifikohen pushimet, duke u bërë opsioni kryesor për shumë shqiptarë që kërkojnë të udhëtojnë jashtë me buxhet të kufizuar.