FLASH :

Egnatia përsërit historinë ndaj Partizanit, shkon në finale për vitin e dytë radhazi falë rregullores

Egnatia është finalistja e dytë e ndeshjes për titullin kampion në Kategorinë Superiore, ku e pret Vllaznia. Rrogozhinasit kanë përsëritur historinë dhe ashtu si një vit më parë, kanë përfituar nga rregullorja për të shkuar në ndeshjen finale.

Ekipet e nisën me këto formacione:

Egnatia: Dajsinani, Xhemajli, Sota, Alijev, Fangaj, Aleksi, Zejnullai, Fernando, Ujka, Lushkja, Guindo.

Partizani: Qirko, Bytyçi, Preka, Domgjonaj, Buxhelaj, Sembene, Mehmeti, Kote, Keko, Bintsuka, Eleke.

Pjesa e parë ishte e luftuar nga të dyja skuadrat, por nuk u shënua asnjë gol. Edhe fraksioni i dytë nuk prodhoi gol, pavarësisht përpjekjeve dhe disa rasteve të mira të krijuara.

Falë renditjes më të mirë në kampionat dhe rregullores së gjysmëfinaleve të “Final Four”, skuadrës së Tetovës i mjaftonte edhe barazimi në ndeshjen e sotme ndaj Partizanit. Ndaj ajo ka luajtur më me qetësi duke kontrolluar lojën, pa rrezikuar shumë përballë Partizanit i cili gjithashtu krijoi shumë pak raste për të shënuar.

Kjo bëri që ndeshja të luhej pa ritëm, me të kuqtë që kishin rrallëherë minuta të rrezikshme para Dajsinanit. Ata tentuan vetëm në fund me forca të shumta të ndryshonin situatën, por ishte vonë për të sjellë një gol që do u jepte kualifikimin

Kësisoj, barazimi 0-0 i dha mundësinë Egnatias të shkonte përsëri në finale, ku do të tentojë të mbrojë “fronin” e siguruar një vit më parë

Finalja e madhe për titullin kampion, Vllaznia – Egnatia, do të luhet më 12 maj në stadiumin “Arena Kombëtare” në orën 20:00.

Ndërsa finalja e vogël për vendin e 3/4, Partizani – Dinamo City, do të zhvillohet më 9 maj.

EGNATIA-PARTIZANI 0-0