Pas 1245 ditësh në detyrë, kancelari gjerman Olaf Scholz i dha fund mandatit të tij me një ceremoni solemne ushtarake të Bundeswehr-it, të njohur si “Großer Zapfenstreich”. Socialdemokrati u nderua për shërbimin e tij si kreu i qeverisë në një prej periudhave më sfiduese për Gjermaninë në dekadat e fundit.
Në fjalimin e lamtumirës, Scholz theksoi rëndësinë e unitetit kombëtar dhe respektit në politikë. “Të mos harrojmë fuqinë që ka Gjermania kur qëndron e bashkuar. Ishte dhe mbetet nderi i jetës sime që shërbeva si kancelar i kësaj Gjermanie”, tha ai.
Në ceremoninë ku mori pjesë edhe pasuesi i tij, Friedrich Merz nga CDU, Scholz i uroi sukses dhe “një dorë të lehtë” në sfidat që e presin. Bundestagu pritet ta zgjedhë Merz-in të martën si kancelarin e dhjetë të Gjermanisë.
Në përputhje me traditën, Scholz zgjodhi tri pjesë muzikore simbolike për ceremoninë e tij: “In My Life” nga Beatles, një pjesë nga Koncerti i dytë i Brandenburgut i Johann Sebastian Bach, dhe këngën “Respect” të Aretha Franklin – një rikujtim i mesazhit të tij politik: Respekt për ty!
Scholz mori postin më 8 dhjetor 2021, në krye të një koalicioni trepartiak mes SPD, Të Gjelbërve dhe FDP – i njohur si “koalicioni semafor”. Por qeverisja e tij u shoqërua me përplasje të brendshme, veçanërisht për çështjen e buxhetit, që kulmuan me tërheqjen e FDP-së dhe zgjedhje të parakohshme.
Pasi humbi përpjekjen për një mandat të dytë, Scholz mbetet aktiv në politikë si deputet i Bundestagut, pasi fitoi sërish zonën e tij elektorale në Potsdam. Me 1245 ditë në post, ai renditet mes kancelarëve me mandat më të shkurtër në historinë e vendit.