FLASH :

Kryeministri rumun jep dorëheqjen

Kryeministri rumun Marcel Ciolacu njoftoi dorëheqjen e tij të hënën, më 5 maj, duke thelluar krizën politike në Rumani, pas humbjes së rëndë që pësoi kandidati i koalicionit qeveritar në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

“Ne pamë se si votuan rumunët dje. Koalicioni në pushtet nuk ka më legjitimitet, të paktën në këtë konfigurim”, deklaroi Ciolacu pas një mbledhjeje të Partisë Social Demokrate (PSD).

Kandidati i koalicionit, Crin Antonescu, mori vetëm 20.3% të votave, ndërsa populisti i ekstremit të djathtë George Simion doli i pari me 40.5%. Simion do të përballet në raundin e dytë, më 18 maj, me Nicusor Dan, kryebashkiakun properëndimor të Bukureshtit, i cili mori 20.9% të votave.

Dorëheqja e Ciolacu-t është pasuar nga thirrja për shpërbërjen e Koalicionit të Fuqisë, aleancës mes PSD, liberalëve centristë dhe partisë hungareze UDMR, që kishte për qëllim ruajtjen e kursit properëndimor të vendit. Pa këtë aleancë, mazhoranca e ardhshme në parlament mund të varet nga mbështetja e së djathtës ekstreme.

“Ky koalicion nuk është më i ligjshëm,” theksoi Ciolacu, duke shtuar se “presidenti i ri do të më kishte zëvendësuar gjithsesi”.

Simion: Nacionalist, euroskeptik dhe aleat i Trumpit
George Simion, 38 vjeç, udhëheqës i partisë nacionaliste AUR, kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe kritikon hapur udhëheqësit e Bashkimit Evropian. Ai është shprehur se përkrah vizionin e Donald Trump dhe lëvizjen “Make America Great Again”.

Simion konsiderohet si pasardhës politik i Calin Georgescut, kandidatit të djathtë ekstrem që u ndalua të merrte pjesë në zgjedhjet e anuluara të vitit të kaluar për shkak të dyshimeve për ndërhyrje ruse.

Rumania në një udhëkryq
Me 19 milion banorë, Rumania është vendi më i madh në Evropën Juglindore dhe një anëtare kyçe e NATO-s dhe BE-së. Një fitore e mundshme e Simionit më 18 maj pritet të shtojë radhët e liderëve euroskeptikë në kontinent, përkrah Viktor Orbán në Hungari dhe Robert Fico në Sllovaki.

Zhvillimet në Rumani po tërheqin gjithashtu vëmendjen ndërkombëtare: Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka kritikuar anulimin e zgjedhjeve të mëparshme, ndërsa Elon Musk e ka cilësuar presidentin e Gjykatës Supreme rumune si “tiran”.