Udhëtimet solo po bëhen gjithnjë e më të njohura, veçanërisht mes grave që kërkojnë aventura dhe pavarësi. Megjithatë, jo të gjitha destinacionet ofrojnë të njëjtin nivel sigurie për udhëtaret e vetme – dhe disa qytete po krijojnë reputacion negativ në këtë drejtim.
Në një temë diskutimi në Reddit, një udhëtare e apasionuar që ka vizituar rreth 30 vende, pyeti gratë se në cilin qytet janë ndjerë “befasisht të pasigurta”. Për habinë e shumë ndjekësve, disa nga përgjigjet më të shpeshta përmendën Brukselin, kryeqytetin e Belgjikës.
Një përdoruese me emrin Brooklawyer shkroi: “U habita kur ndjeva pasiguri në Bruksel. Ky vend i vogël dhe ‘i sigurt’ kishte rrugica të errëta ku qëndronin grupe burrash që ngacmonin gratë. Ishte ndjesia që nëse do të ndodhte diçka, askush nuk do ta vinte re.”
Një tjetër udhëtare, Giraffodil1, konfirmoi të njëjtën përvojë: “Brukseli ishte vendi ku jam ndjerë më e pasigurt. Dikush u përpoq të më grabiste brenda pesë minutash nga mbërritja, dhe ngacmimet ishin të neveritshme.”
Një turiste tjetër shtoi se qyteti ishte “i ndotur dhe i rrezikshëm”, dhe se pjesën më të madhe të udhëtimit e kaloi brenda hotelit.
Por Brukseli nuk ishte i vetmi që u përmend si problematik për udhëtimet solo.
Një udhëtare tha se Palermo në Siçili ishte qyteti ku ishte ndjerë më e pasigurt. “Pa e ditur, rezervova një akomodim në një lagje të rrezikshme. Ditën ishte në rregull, por natën nuk guxoja të kthehesha vetëm,” rrëfeu ajo.
Një tjetër paralajmërim erdhi për Santorinin gjatë dimrit. Përdoruesja Known_Royal4356 shkroi: “Ishte bosh, përveç punëtorëve meshkuj të ndërtimit. Nuk ndodhi asgjë konkrete, por ndihesha në ankth gjatë gjithë kohës.”
Këto rrëfime e vënë në pah rëndësinë e informimit paraprak për destinacionet – dhe faktin që ndjesia e sigurisë nuk varet vetëm nga bukuria apo fama e një qyteti.

