FLASH :

Shqetësim dhe kuriozitet në Gran Canaria: Peshkatarët ndeshen me një “peshkaqen alien” pranë bregut

Një peshkaqen i rrallë dhe me pamje të çuditshme është parë pranë bregdetit të Gran Canarias, duke lënë të habitur peshkatarët vendas. Marcos Hernández dhe Ramón Santana, të cilët po peshkonin në zonën e San Cristóbal, kanë filmuar momentin kur peshkaqeni i njohur si Goblin Shark lundronte në thellësi pranë barkës së tyre.

I njohur shkencërisht si Mitsukurina owstoni, ky peshkaqen jeton zakonisht në thellësitë ekstreme të oqeanit – deri në 900 metra – dhe njihet për pamjen e tij të pazakontë, me hundë të gjatë dhe nofull të zgjatur, që i jep një dukje “jashtëtokësore”. Sipas mediave lokale, kjo është hera e parë që një ekzemplar i tillë është konfirmuar në këto ujëra.

Marcos tregoi se në fillim menduan se kishin hasur një peshk shpatë për shkak të hundës, por më pas kuptuan që bëhej fjalë për një krijesë të rrallë me lëkurë të trashë dhe pamje të pazakontë. Pasi e fotografuan, ata e lanë peshkaqenin të kthehej në det. Ky zbulim ka tërhequr interesin e komunitetit shkencor dhe dashamirësve të natyrës detare në të gjithë ishujt Kanarie.