Horror në Miami: Mbytet jahti prej 4.5 milionë dollarësh me influencuese luksi në bord pas një gabimi amator

Një ditë glamuroze në ujërat e Miami Beach u kthye në panik dhe kaos kur një jaht luksoz “Tecnomar for Lamborghini 63”, me vlerë 4.5 milionë dollarë, u përmbys dhe filloi të fundosej. Rreth 30 gra, shumica me bikini dhe të njohura në rrjete sociale, po shijonin një ditë me diell dhe alkool gjatë fundjavës së garës Formula 1, të ngjeshura në një anije që ishte projektuar për vetëm pesë pasagjerë.

Pamjet e publikuara nga njëra prej pasagjereve, Lauren Nicole, tregojnë momentin kur jahti nisi të anojë dhe jelekët e shpëtimit po shpërndaheshin në panik, ndërsa të ftuarat prisnin të hipnin në varkat e shpëtimit. Pjesë të jahtit luksoz lundronin mbi ujë, teksa Lauren dëgjohej të thërriste e alarmuar: “F*ck my life!”. Ndërkohë, rojet bregdetare dhe shërbimet emergjente mbërritën me shpejtësi në vendngjarje dhe shpëtuan 32 persona. Fatmirësisht, nuk u raportuan lëndime serioze.

Pavarësisht ngjarjes dramatike, vajzat nuk e lanë incidentin t’ua prishte ditën luksoze. Në rrjetet sociale ato u shfaqën duke festuar edhe nga varkat e shpëtimit, të buzëqeshura e me pije në duar. Njëra prej tyre mbante fort një shishe tequila të markës së shtrenjtë Clase Azul Gold, ndërsa të tjerat bënin shaka: “Fëmijët dhe gratë janë në rregull!”. Në një moment, Lauren klithte ironikisht: “Pse, o Zot? Çfarë na bëre kështu?”

Autoritetet kanë nisur një hetim, pasi jahti 63-këmbësh ishte mbingarkuar përtej kapacitetit të lejuar. Modeli në fjalë, një bashkëpunim mes prodhuesit italian Lamborghini dhe kompanisë “The Italian Sea Group”, është projektuar për vetëm pesë të ftuar dhe dy anëtarë ekuipazhi. Ndërkohë, aventura e Miami-it vazhdoi për influencueset, që në mbrëmje morën pjesë në një festë luksoze në “Jungle Island”.

Eventi i Formula 1 në Miami është një nga ngjarjet më të rëndësishme vjetore në qytet, që tërheq mijëra sportdashës dhe emra të njohur. Mbrëmja përfundoi me një festë “Carbone Beach”, ku morën pjesë ylli i NFL Patrick Mahomes me bashkëshorten Brittany, reperi Jelly Roll dhe të ftuar të tjerë të profilit të lartë.