FLASH :

Tirana, nga kampione e çmimeve në krizë ndërtimi, tregu imobiliar përjeton kthesën e parë pas viteve të boom-it

Pas një viti 2024 ku Tirana u rendit si qyteti me çmimet më të larta për apartamente të reja në qendër, duke kaluar edhe kryeqytete si Beogradi apo Athina, viti 2025 ka sjellë një kthesë të fortë në tregun imobiliar të kryeqytetit shqiptar.

Sipas të dhënave krahasuese rajonale për ndërtimet e reja në qendër të qytetit (shih foton më poshtë), Tirana vitin e kaluar regjistroi çmime që varionin nga 3,500 deri në 5,000 euro për metër katror, duke lënë pas Beogradin (3,000–8,000 €), Athinën (2,500–6,500 €) dhe duke u afruar me qytete të nivelit të lartë si Milanoja (7,000–12,000 €).

Por ky sukses i shtrenjtë ka ardhur me pasoja.

Çmimet e larta kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmin e ndërtimeve të reja gjatë muajve të parë të vitit 2025. Burime nga sektori i ndërtimit raportojnë anullime dhe pezullime të dhjetëra lejeve ndërtimore, ndërsa ndërtuesit po përballen me stok të pashitur dhe kosto që nuk justifikohen më nga kërkesa reale.

Ekspertët e tregut shprehen se kjo prirje zbritëse është pasojë direkte e mbingopjes së tregut, çmimeve të papërballueshme për blerësit vendas, si dhe një kërkese që po tkurret në mënyrë graduale. Si rezultat, çmimet kanë nisur të bien, sidomos në zonat më të frekuentuara të qytetit si Blloku, Rruga e Elbasanit dhe zona përreth Sheshit Skënderbej.

Një mundësi për blerësit, një krizë për ndërtuesit

Për blerësit që deri dje qëndronin në pritje, kjo situatë shihet si një moment i mirë për të hyrë në treg me kushte më të favorshme. Por për ndërtuesit dhe investitorët, që vitin e kaluar e panë Tiranën si një nga tregjet më fitimprurëse në Ballkan, kjo përmbysje është një sinjal alarmi për strategjinë e tyre afatshkurtër dhe mbi të gjitha, për qëndrueshmërinë e modelit të zhvillimit urban të qytetit.