FLASH :

Shqipëria, strehë e palestinezëve? Misteret e vizitës së papritur të Mbretit Abdullah në Tiranë

Gazeta “Jordan Times”, e njohur për lidhjet e saj me oborrin mbretëror në Aman dhe si një paralajmëruese e hershme e lëvizjeve perëndimore në Lindjen e Mesme, raportoi mbi vizitën e papritur të Mbretit Abdullah në Shqipëri, Mal të Zi dhe SHBA.

Vizita në Tiranë është pasuar nga takimet e nivelit të lartë me Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama, ndërsa menjëherë pas takimeve në Ballkan, mbreti Abdullah fluturoi drejt Uashingtonit, ku do të të pritet nga Presidenti Donald Trump.

Ndërsa Presidenca shqiptare bëri të ditur se bisedimet me Mbretin Abdullah janë fokusuar tek marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale, zyra e Kryeministrit Rama nuk dha detaje mbi përmbajtjen e diskutimeve. Kjo mungesë transparence ngre pikëpyetje mbi çështjen e ndjeshme të refugjatëve palestinezë.

Situata humanitare në Gaza është bërë kritike pas shkatërrimeve të mëdha nga operacioni dyvjeçar i ushtrisë izraelite. Jordania ka deklaruar hapur pamundësinë për të pranuar më shumë palestinezë, duke theksuar se tashmë vendi është i tejmbushur me refugjatë që kanë ndryshuar dramatikisht balancën demografike dhe politike të mbretërisë.

Në këtë kontekst, ideja kontroverse e Trump për të boshatisur Gazën dhe për ta kthyer atë në një resort turistik luksoz është e njohur botërisht, madje u promovua edhe nga një video provokuese në faqen e tij zyrtare, e krijuar me inteligjencë artificiale. Megjithëse as Trump dhe as Netanjahu nuk mund të dëbojnë me dhunë banorët e Gazës, shkatërrimi i infrastrukturës po i detyron ata të largohen drejt vendeve të tjera.

Burime diplomatike kanë aluduar prej kohësh për Shqipërinë si një mundësi konkrete për strehimin e një numri të madh refugjatësh palestinezë. Ermir Gjinishi, njohës i mirë i Lindjes së Mesme, deklaroi në emisionin “Zonë e Lirë” se bëhet fjalë për ardhjen e rreth 100 mijë refugjatëve palestinezë, gjë që u mohua menjëherë nga Kryeministri Rama.

Megjithatë, vizita e Mbretit Abdullah dhe detajet që ai pritet të diskutojë me Trump në zyrën Ovale mund të sjellin më shumë qartësi mbi këtë çështje sensitive. Sipas një burimi pranë qeverisë shqiptare, Rama nuk e ka refuzuar kategorikisht idenë e pritjes së refugjatëve palestinezë, duke synuar të sigurojë mbështetje nga administrata Trump. Gjithçka pritet të bëhet më e qartë pas takimit të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë.