FLASH :

Rumania drejt ekstremit: George Simion fiton raundin e parë me mbi 40%, kandidatët pro-BE shpresojnë për balotazh

Beteja për presidencën rumune po shndërrohet në një përballje dramatike midis sovranizmit radikal dhe vizionit pro-evropian, ndërsa kandidati i ekstremit të djathtë, George Simion, ka dalë fitues në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale me mbi 40% të votave, shumë më tepër se ç’parashikonin sondazhet.

Pesë muaj pas anulimit të zgjedhjeve të mëparshme nga Gjykata Kushtetuese – për shkak të dyshimeve për ndërhyrje ruse – pjesëmarrja në votime u rrit në 53.2%. Rezultati i Simionit, i cili udhëheq partinë nacionaliste AUR, është cilësuar si një “triumf” nga mbështetësit, ndërsa vetë ai deklaroi: “Sot kemi shkruar historinë!” Ndërkohë, kandidati pro-evropian dhe kryebashkiak i Bukureshtit, Nicușor Dan, siguroi 20.7% të votave, duke kaluar për pak rivalin tjetër të moderuar, Crin Antonescu, që ishte mbështetur nga koalicioni qeverisës.


Diaspora ndan votën, Simion dominon jashtë vendit

Shpresa e Dan për të përmbysur rezultatin në balotazh qëndron te votat e diasporës, ku gëzon mbështetje të lartë në SHBA. Megjithatë, Simion ka dominuar në Itali, Spanjë dhe Gjermani – vendet ku jeton shumica e emigrantëve rumunë – duke marrë mbi 66% të votave të numëruara deri më tani. Në vend të katërt është renditur një tjetër figurë sovraniste, Victor Ponta, me mbi 13%.

Përplasja midis frontit sovranist dhe kandidatëve pro-BE duket se do të intensifikohet në balotazhin që pritet të zhvillohet pas dy javësh. Sipas sondazheve të Atlas Intel – institucionit që parashikoi saktësisht fitoren e Trump – Simion ka më pak gjasa të fitojë nëse përballet me Antonescun, por mbetet favorit ndaj Dan.


Zgjedhje nën hijen e sulmeve kibernetike dhe dezinformimit

Procesi zgjedhor u shoqërua nga një sulm masiv kibernetik që paralizoi për rreth dy orë faqet qeveritare dhe platformat e kandidatëve pro-evropianë. Sipas autoriteteve rumune, sulmi u krye përmes aplikacionit Telegram nga grupi rus i hakerëve Noname057. Ndërkohë, faqet dhe llogaritë e Simionit dhe Georgescu-t mbetën të paprekura, duke shtuar dyshimet për ndërhyrje të organizuar.

Simioni, i shoqëruar nga Georgescu në qendrën e votimit, u përpoq të evokonte “zgjedhjet e vjedhura” të nëntorit të kaluar, ndërsa edhe figura të tjera ekstreme si eurodeputetja Diana Șoșoacă përdorën simbole të epokës së diktaturës për të provokuar elektoratin. Në rrjete sociale qarkulluan edhe lajme të rreme për ndërprerje energjie gjatë votimit, me qëllim diskreditimin e procesit.


Një komb në udhëkryq

Sipas vëzhguesve të organizatës Funky Citizen, në këto zgjedhje u vu re një rritje e ndjeshme e narrativave dezinformuese dhe sulmeve ndaj institucioneve. Analistët paralajmërojnë se rritja e frikës, bashkë me zhgënjimin ekonomik – Rumani ka aktualisht deficitin më të lartë në BE, inflacion të lartë dhe borxh publik në rritje – po përdoren nga figura si Simion për të ushqyer zemërimin popullor.

Me votat e Simionit dhe Pontës të kombinuara, fronti sovranist përbën rreth 54% të elektoratit. Megjithatë, balotazhi pritet të jetë një përballje vendimtare për orientimin e ardhshëm të Rumanisë: drejt izolimit sovranist, apo drejt integrimit evropian.