FLASH :

“27 jetë për çdo kilometër”: Humbjet rekord të Rusisë në Ukrainë gjatë vitit 2024

Viti 2024 ka hyrë në histori si më i përgjakshmi për forcat ruse që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës. Sipas një investigimi të përbashkët të BBC Russian Service, Mediazona dhe një rrjeti vullnetarësh, të paktën 45,287 ushtarë rusë kanë humbur jetën gjatë këtij viti një shifër gati trefish më e lartë se gjatë vitit të parë të luftës dhe shumë më e lartë se humbjet e vitit 2023.

Në vitin që lamë pas, humbjet nuk u regjistruan më në valë gjatë betejave të mëdha, por u rritën gradualisht muaj pas muaji, duke pasqyruar një strategji shkatërrimtare të avancimit të ngadaltë të vijës së frontit. Nga kjo analizë, del një fakt tronditës: Rusia humbi mesatarisht 27 ushtarë për çdo kilometër katror territori të fituar në Ukrainë gjatë vitit 2024.

Si u matën humbjet: verifikim i varrezave dhe nekrologjive
Gazetarët dhe analistët përpunuan të dhëna nga varreza ushtarake, memoriale zyrtare dhe nekrologji publike në rrjete sociale. Deri tani janë identifikuar emrat e 106,745 ushtarëve rusë të vrarë që nga fillimi i luftës në shkurt 2022.

Por ekspertët thonë se ky është vetëm një përqindje e pjesshme. Bazuar në krahasime me të dhëna konfidenciale, mendohet se të dhënat e publikuara përfaqësojnë vetëm 45% deri në 65% të viktimave reale, çka nënkupton një total prej 164,000 deri në 237,000 ushtarësh të vrarë. Nëse përfshihen edhe luftëtarët e proxy-ve ruse në Donetsk dhe Luhansk, numri mund të arrijë nga 185,000 deri në 260,700 viktima.

Dita më fatale: 20 shkurt 2024
Më 20 shkurt, Ukraina lëshoi katër raketa HIMARS mbi një terren stërvitor pranë qytetit të pushtuar Volnovakha në Donetsk, ku trupat ruse ishin rreshtuar për një ceremoni medaljesh. Në vendngjarje humbën jetën 65 ushtarë, përfshirë komandantin kolonel Musaev. Mes viktimave ishin Aldar Bairov (22 vjeç), Igor Babych (32) dhe Okhunjon Rustamov (31), pjesë e Brigadës së 36-të të Këmbësorisë së Motorizuar.

Të afërmit e tyre rrëfejnë se kjo ishte thjesht një nga seritë e pafundme të funeraleve që kanë përjetuar.

“Në dhjetor 2022 humba bashkëshortin. Më 10 shkurt 2024, kumbarin. Dhe më 20 shkurt, gjysmëvëllanë tim. Nga një varrim në tjetrin,” tha një e afërme e Rustamovit.

Mediat shtetërore nuk raportuan asgjë për sulmin, ndërsa në të njëjtën ditë ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Sergei Shoigu raportonte “suksese në front” për presidentin Vladimir Putin.

Humbje të vazhdueshme: asnjë muaj pa të vrarë
Ndryshe nga vitet e mëparshme, 2024 nuk pati asnjë periudhë qetësie. Pas betejave për Bakhmut dhe Vuhledar në 2023, fronti u përqendrua këtë vit në Avdiivka, Robotyne, Pokrovsk dhe Toretsk. Edhe brenda territorit rus, luftimet sollën humbje veçanërisht gjatë gushtit, kur trupat ukrainase hynë përkohësisht në rajonin e Kurskut, duke vrarë mbi 1,200 ushtarë rusë vetëm brenda një jave (6–13 gusht).

Ndërkohë, nga shtatori në nëntor, Rusia arriti të marrë kontrollin e 2,356 km² territori ukrainas në lindje, përmes një strategjie të sulmeve të përhapura me skuadra të vogla këmbësorie, një taktikë që çoi në rritje të madhe të viktimave.

Sipas Institutit Amerikan për Studimin e Luftës (ISW), Rusia fitoi gjithsej 4,168 km² territor në 2024. Kjo do të thotë se për çdo 1 km² të fituar, humbën jetën mesatarisht 27 ushtarë rusë dhe kjo pa përfshirë të plagosurit.

Rekrutim me para, presion dhe frikë
Për të zëvendësuar humbjet, Kremlini përshpejtoi rekrutimin në pjesën e dytë të vitit.

“Rekrutimi rus u rrit ndjeshëm dhe tejkaloi numrin e viktimave, duke lejuar krijimin e një numri të ri njësish luftarake,” tha analisti amerikan Michael Kofman.

Pagesat njëherëshe për nënshkrimin e kontratave u rritën në disa rajone, duke e bërë shërbimin ushtarak ekonomikisht joshës për të rinjtë, sidomos në zonat rurale. Në qytetin Ufa të republikës së Bashkurtostanit, pagesa për kontratë me ushtrinë është 34 herë më e lartë se paga mesatare mujore.

Shumë “vullnetarë” firmosën kontrata për të shmangur burgun, pasi legjislacioni i vitit 2024 e lejonte këtë. Kjo kategori përbën sot çerekun e viktimave të konfirmuara, dhe numri i tyre po rritet me shpejtësi.

Problemi më shqetësues, sipas ekspertëve, është mungesa e stërvitjes: mijëra rekrutë janë dërguar në vijën e parë të frontit vetëm 10–14 ditë pas nënshkrimit të kontratës, duke rritur ndjeshëm rrezikun për jetë.

Bashkortostani, rekordi i zi i vdekjeve
Republika e Bashkortostanit mban rekordin më të lartë të viktimave të konfirmuara: 4,836 të vdekur, shumica nga fshatrat dhe 38% pa përvojë ushtarake.

Rritja e pagesave nuk ka shuar kritikën në rritje ndaj qeverisë. Në fund të vitit, mijëra rezervistë nënshkruan peticione duke i kërkuar qeverisë të ndalë luftën dhe të negociojë kthimin e pengjeve.

Humbje të padukshme, trupa të pavarrosur
Për shkak të natyrës së betejave dhe kontrollit të pjesshëm të trupave në zonat e luftës, shumë trupa të vrarë ende nuk janë tërhequr nga fusha e betejës.
Kjo do të thotë se edhe numrat aktualë mund të jenë të nënvlerësuar.

Sipas një analize të nekrologjive dhe kërkimeve për ushtarë të zhdukur, besohet se 21,000 deri në 23,500 persona të tjerë mund të jenë vrarë deri në shtator 2024 duke çuar vlerësimin total në deri në 260,700 trupa ruse të vrarë në luftën e Ukrainës.

Një luftë e gjatë, me kosto të jashtëzakonshme për Rusinë dhe pa një fund të qartë në horizont.