Ushtria izraelite ka filluar të thërrasë dhjetëra mijëra rezervistë për të “intensifikuar dhe zgjeruar” operacionet e saj në Rripin e Gazës.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan se po “rrisin presionin” me qëllimin për të kthyer pengjet që mbahen në Gaza dhe për të mposhtur militantët e Hamasit.
Kritikët thonë se ofensiva e fundit ushtarake, pas prishjes së armëpushimit, nuk ka arritur të garantojë lirimin e pengjeve, dhe vënë në dyshim objektivat e kryeministrit Benjamin Netanyahu në këtë konflikt.
Sipas planit, ushtria tha se do të veprojë në zona të reja dhe do të “shkatërrojë gjithë infrastrukturën” mbi dhe nën tokë.
Mediat izraelite raportojnë se kabineti i sigurisë ka miratuar zgjerimin e ri të ofensivës në Gaza. Por raportet sugjerojnë se kjo nuk do të ndodhë para udhëtimit të Presidentit Donald Trump në rajon javën e ardhshme.
Negociatat ndërkombëtare kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje të re për armëpushim dhe lirimin e 59 pengjeve të mbetura që mbahen nga Hamasi 24 prej të cilëve besohet se janë gjallë.
Që nga rifillimi i ofensivës më 18 mars, pas dështimit të një armëpushimi dy-mujor me Hamasin, asnjë peng izraelit nuk është liruar.
Që prej asaj kohe, Izraeli ka marrë nën kontroll zona të mëdha të Gazës, duke zhvendosur sërish qindra mijëra palestinezë.
Izraeli ka deklaruar se qëllimi i tij ka qenë të ushtrojë presion ndaj Hamasit, përfshirë një bllokadë të ndihmës humanitare që është në fuqi prej më shumë se dy muajsh.
Agjencitë e ndihmës, të cilat kanë raportuar mungesa të theksuara të ushqimit, ujit dhe barnave, e kanë cilësuar këtë si një politikë urie që mund të përbëjë krim lufte një akuzë që Izraeli e mohon.
Zgjerimi i ofensivës pritet të shtojë më tej presionin mbi rezervistët e rraskapitur, disa prej të cilëve janë thirrur pesë apo gjashtë herë që nga fillimi i luftës, dhe rrit shqetësimin e familjarëve të pengjeve, të cilët kanë kërkuar me ngulm arritjen e një marrëveshjeje me Hamasin, duke thënë se është e vetmja mënyrë për të shpëtuar të gjallët.
Kjo masë do të shtrojë gjithashtu pyetje të reja mbi qëllimet reale të Netanyahut në Gaza.
Ai është akuzuar vazhdimisht nga familjet e pengjeve dhe kundërshtarët se ka sabotuar negociatat për një marrëveshje dhe se po zgjat luftën për qëllime politike akuza që ai i mohon.
Dhe, gati 19 muaj pas fillimit të luftës, Netanyahu ende nuk ka paraqitur një plan për periudhën pas konfliktit.
Sipas mediave lokale, ushtria i paraqiti Netanyahut planin e saj të ofensivës së re me faza ditën e premte.
Në javët e fundit, mijëra rezervistë kanë nënshkruar letra ku i kërkojnë qeverisë së Netanyahut të ndalë luftën dhe të përqendrohet në një marrëveshje për rikthimin e pengjeve.
Të shtunën në mbrëmje, u zhvilluan protesta të reja në mbarë Izraelin për t’i dhënë fund konfliktit.
Në Tel Aviv, një nënë e një pengu që ende mbahet në Gaza e quajti luftën “të panevojshme”.
Të dielën, ushtria izraelite konfirmoi se dy ushtarë të tjerë izraelitë ishin vrarë në Gaza.
Më herët po atë ditë, një raketë e lëshuar nga Jemeni nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani ra pranë terminalit kryesor të aeroportit Ben Gurion në Izrael. Netanyahu premtoi se do të hakmerret.
Houthis më pas reaguan ndaj planeve të reja të Izraelit në Gaza duke kërcënuar se do të vendosin një “bllokadë ajrore” ndaj Izraelit përmes sulmeve të përsëritura ndaj aeroporteve të tij.
Në Gaza, ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi tha se deri në orën 11:05 me orën lokale të dielën, 40 persona ishin vrarë dhe 125 të tjerë ishin plagosur në 24 orët e fundit.
Ushtria izraelite nisi ofensivën e saj për shkatërrimin e Hamasit në përgjigje të një sulmi të paprecedentë përtej kufirit më 7 tetor 2023, gjatë të cilit u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.
Sipas ministrisë së shëndetësisë të Hamasit në Gaza, të paktën 52,535 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës. Prej tyre, 2,436 janë vrarë që nga 18 marsi, kur Izraeli rifilloi ofensivën në Rripin e Gazës.