FLASH :

Masakra në Sanobar: Si dhuna sektare tronditi besimin te qeveria e re islamike e Sirisë

Një nga autorët e dhunës sektare që goditi bregdetin sirian në fillim të marsit ka rrëfyer për BBC se ai dhe të tjerë civilë të armatosur vepruan me dijeninë dhe nën mbikëqyrjen e forcave të sigurisë së qeverisë së re islamike të Sirisë.

Në një intervistë ekskluzive, Abu Khalid, tashmë i ndaluar nga policia ushtarake, rrëfeu se kishte shkuar në fshatin bregdetar Sanobar më 7 mars për të luftuar “mbetjet e regjimit të vjetër” të Bashar al-Assad. Por rrëfimi i tij dhe pamjet që vetë ai publikoi më pas në rrjet, zbulojnë një realitet të errët: civilë të ekzekutuar pa mëshirë, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre alavite.

“Na udhëzuan të mos preknim civilët,” tha Abu Khalid, “por në fakt, strukturat e sigurisë e dinin se çfarë po ndodhte.”

Pamjet e filmuara prej tij tregojnë momentin kur ai e qëllon për vdekje Mahmoud Yusef Mohammed, 64 vjeç, në hyrje të shtëpisë së tij, ndërsa e tall nga një motor dhe i bërtet: “Të kapa! Shiko kamerën!”. Viktima bie në gjunjë dhe i lutet për jetën, por ekzekutohet me gjakftohtësi me tre plumba të tjerë.

Sipas BBC, videoja është verifikuar në kohë dhe vendndodhje, ndërsa ekspertët ushtarakë konfirmojnë se viktima nuk mbante asnjë armë. Përkundrazi, ishte një fermer i njohur në fshat, me të shkuar ushtarake, por pa lidhje me luftën.

Masakra që ndau Sirinë: mbi 200 të vrarë në Sanobar, qindra në gjithë bregdetin
Dhuna sektare shpërtheu më 6 mars, kur ish-besnikë të Assadit sulmuan forcat e reja të sigurisë të qeverisë islamike në rrugën bregdetare. Kjo çoi në një thirrje të përgjithshme për ndihmë, e cila u pasua nga një ofensivë masive e milicive, xhihadistëve dhe civilëve të armatosur nga rajone si Idlibi dhe Alepo.

Fshati alavit Sanobar, ndodhur në vijën e parë të përplasjes, u shndërrua në një skenë masakre. Brenda pak ditësh, mbi 200 banorë u vranë në mënyrë brutale. Grupe të ndryshme hynë nëpër shtëpi, grabitën, kërcënuan fëmijët dhe ekzekutuan burrat me pretekstin se ishin alavitë.

Një e mbijetuar tregon për BBC:

“Na pyetën ku ishin burrat. I morën babain dhe vëllanë tim Ali. I lutëm të mos i vrisnin. Ata thanë: ‘Jeni derra alavitë’, dhe i qëlluan para syve tanë.”

Shumë nga viktimat ishin gra, fëmijë dhe të moshuar. Raporte nga aktivistët lokalë dhe Amnesty International dokumentojnë përdorimin e termave si “spastrime etnike” nga luftëtarë që marshonin nëpër fshat. Mes viktimave ka një 11-vjeçar, një grua shtatzënë dhe një burrë me aftësi të kufizuara.

“Fshat i grave dhe sekreteve”: Sanobari pas masakrës
Sanobari sot është një fshat i heshtur, me një varr masiv pranë rrugës kryesore. Trupat u varrosën pa ceremoni, ndërsa funerale nuk janë mbajtur ende. Gratë e mbijetuara jetojnë nën frikën e rikthimit të dhunës dhe e shmangin çdo deklaratë publike.

Në rrëfime të rralla për BBC, disa prej tyre konfirmuan se pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Përgjithshme ndërhynë për të shpëtuar jetë, duke larguar disa civilë të pambrojtur nga fshati. Por gjithashtu u dokumentua prania e njësive të tjera të armatosura, përfshirë milicitë e mbështetura nga Turqia, të cilat akuzohen për ekzekutime.

Hetime dhe premtime për drejtësi – por a do ndëshkohen fajtorët?
Udhëheqësi islamik Ahmed al-Sharaa ka premtuar se “askush nuk do jetë mbi ligjin” dhe një komision i posaçëm ka nisur hetimin për ngjarjet e 6 marsit dhe dhunën që pasoi.

Sipas Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut, mbi 889 civilë – përfshirë 114 gra dhe fëmijë – janë vrarë në ditët që pasuan sulmet e kryengritësve. Amnesty International e ka cilësuar dhunën si “të qëllimshme dhe të paligjshme”.

Kreu i sigurisë për rajonin e Latakias, Mustafa Kunaifati, pranoi për BBC se edhe disa anëtarë të njësive të tij janë përfshirë në krime dhe janë arrestuar.

“Nuk do e tolerojmë këtë sjellje, kemi nisur ndalimet dhe po pastrojmë rajonin,” deklaroi ai.

Një plagë e hapur për pakicat siriane
Dëshmitarët kërkojnë që të gjitha grupet e armatosura të jashtme të largohen nga zonat e tyre dhe që vetëm forcat shtetërore të autorizuara të patrullojnë nëpër fshatra.

Në një vend të mbushur me plagë nga lufta civile, Sanobari është bërë simboli i një prove të madhe për të ardhmen e Sirisë – nëse do mund të ruajë stabilitetin pa rënë në dhunën represive të së kaluarës.

Druzet, të krishterët dhe kurdët po vëzhgojnë me frikë. Nëse qeveria islamike dështon të mbrojë alavitët, nesër mund të jetë radha e tyre.