Një baba 38-vjeçar nga Plymouth, i cili ishte lënë në gjendje kritike pas një sulmi të dyshuar me acid në shkurt, ka ndërruar jetë në spital.
Danny Cahalane u sulmua më 21 shkurt në banesën e tij në rrugën Lipson Road, ndërsa vajza e tij e vogël ishte duke fjetur në dhomën tjetër.
Për shkak të rrezikut që i kanosej, Cahalane u zhvendos jashtë qytetit për sigurinë e tij, por policia konfirmoi të dielën se ai kishte ndërruar jetë një ditë më parë, më 3 maj.
Një javë më parë, ish-e dashura e tij Paris Wilson, 34 vjeç, u paraqit në gjykatë pasi u akuzua për planifikim të rrëmbimit dhe vrasjes së tij. Ajo dyshohet se ka bashkëpunuar me një grup të strukturuar kriminal për t’i hedhur acid sulfurik në fytyrë Danny Cahalane.
Familjarët e viktimës kanë shprehur dhimbjen e tyre për humbjen tragjike të “një babai dhe djali të mrekullueshëm”.
Në deklaratën e tyre thuhet:
“Po e kemi shumë të vështirë të përballemi me ndarjen nga jeta të Dannyt. Ai ishte një baba dhe bir i jashtëzakonshëm. Kishte një lidhje të thellë dashurie me nënën e tij. Do të mbahet mend gjithmonë nga familja dhe miqtë. Kërkojmë respekt për privatësinë tonë në këtë moment të dhimbshëm.”
Imazhet nga vendi i ngjarjes tregojnë Danny Cahalane në shtëpinë e tij, ku u raportua se ishte sulmuar me acid. Në një nga fotot e publikuara, ai shihet përkrah ish-partneres së tij, Paris Wilson.
Paris Wilson, e cila banon në zonën The Quay të Plymouth, ka një të kaluar të pazakontë: më parë ka punuar si oficere prove dhe ka dhënë mësim vullnetarisht në burgun e Dartmoor, duke ndihmuar të burgosurit meshkuj të mësonin shkrim dhe lexim.
Por javën e kaluar, ajo shpërtheu në lot gjatë paraqitjes së saj në Gjykatën e Magjistraturës në Plymouth, ku u akuzua për komplot për vrasje dhe rrëmbim, si dhe për përfshirje në aktivitetin kriminal të një grupi të organizuar.
Detektivi Superintendent Ben Davies, hetuesi kryesor i çështjes, deklaroi:
“Mendimet tona janë me familjen dhe miqtë e Danny-t në këtë kohë të vështirë. Hetimet mbi incidentin që ndodhi në Lipson Road vijojnë. Deri më tani, në lidhje me këtë rast janë akuzuar nëntë persona.”
Ngjarja tronditëse ka ngjallur reagime të forta në Britani, sidomos për mënyrën brutale të sulmit, komplotin e planifikuar dhe faktin që viktima po përpiqej të mbrohej ndërkohë që kujdesej për vajzën e tij të vogël.