Shërbimet britanike të sigurisë kanë goditur një komplot të dyshuar terrorist të organizuar nga elementë të lidhur me Iranin, i cili mund të kishte shkaktuar pasoja shkatërruese në territorin britanik. Në një operacion të koordinuar mes Policisë Metropolitane, forcave të posaçme dhe agjencisë së inteligjencës MI5, u ndërmorën bastisje të njëkohshme në pesë qytete – Londër, Rochdale, Swindon, Manchester dhe Stockport – duke çuar në arrestimin e katër personave nën dyshimin për përgatitje të një akti terrorist. Një person i pestë u arrestua në Manchester sipas ligjit për provat dhe procedurat penale.
Burime të brendshme thonë se plani kishte në shënjestër një objekt specifik në Britani dhe ndodhej vetëm pak orë larg zbatimit, çka përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e civilëve. Emri i objektivit nuk bëhet publik për arsye operative.
Ministrja e Brendshme britanike, Yvette Cooper, e përshkroi ndërhyrjen si një nga “operacionet më të mëdha kundër kërcënimeve të shteteve armiqësore dhe terrorizmit” në vitet e fundit. “Ky hetim reflekton sfidat e jashtëzakonshme që vijojnë të prekin sigurinë tonë kombëtare dhe përfshin shtetas iranianë”, deklaroi Cooper.
Operacioni ndodhi në një moment kritik për sigurinë publike, vetëm pak ditë përpara organizimit të ngjarjeve përkujtimore për 80-vjetorin e Ditës së Fitores (VE Day) në Londër – ndonëse burimet shtetërore nënvizojnë se këto nuk ishin objektivi i komplotit.
Pamjet nga vendngjarja në Rochdale tregojnë dhjetëra forca të armatosura dhe një skuadër speciale që hyn me forcë në një banesë në orën 19:00 të së shtunës, duke përdorur mjete shpërthyese për të çarë derën dhe duke nxjerrë jashtë një burrë 40-vjeçar iranian në të brendshme. “Pashë një flakë të madhe dhe dëgjova një shpërthim. Ishte një moment tronditës,” tha një banore.
Tre të arrestuar të tjerë janë një 29-vjeçar në Swindon, një 46-vjeçar në Londrën Perëndimore dhe një tjetër 29-vjeçar në Stockport, të gjithë për përgatitje të aktit terrorist sipas Nenit 5 të Ligjit për Terrorizmin të vitit 2006.
Në një zhvillim paralel, në Londrën veriperëndimore u arrestuan tre burra të dyshuar si agjentë të inteligjencës iraniane nën akuzën për spiunazh – rast i parë që arrestimet ndodhin sipas Ligjit të ri për Sigurinë Kombëtare në Britani, që synon ndalimin e operativëve të shteteve të huaja.
Shefi i MI5, Sir Ken McCallum, ka paralajmëruar më herët për një rritje dramatike të agresionit iranian në territorin britanik. “Irani po vepron me një ritëm dhe përmasa të paprecedentë. Vetëm që nga viti 2022 kemi parandaluar 20 komplote potencialisht vdekjeprurëse të sponsorizuara nga Teherani,” tha ai. Ai shtoi se regjimi iranian përdor shpesh trafikantë droge dhe figura kriminale për të kryer misione të fshehta.
Shembuj konkretë të kësaj lufte të fshehtë përfshijnë sulmin e dhunshëm në maj 2024 ndaj disidentëve iranianë Navid Bavi dhe Bahar Mahroo në Wembley – ku njëri mbeti i paralizuar dhe tjetra raportoi dhunë seksuale – si dhe plagosjen me thikë të gazetarit Pouria Zeraati jashtë banesës së tij në Wimbledon, vetëm për shkak të punës së tij kundër regjimit në Iran International.
Një tjetër rast i bujshëm ishte arrestimi dhe dënimi i Magomed-Husejn Dovtaev, një shtetas austriak me origjinë çeçene, i cili u kap duke mbledhur informacione për selinë e kanalit televiziv opozitar ndaj Teheranit në Londër. Ai u dënua me 3.5 vite burg.
Ndërkohë që hetimet për komplotin e fundit vijojnë, autoritetet britanike kanë dhënë një paralajmërim të prerë për cilindo që bashkëpunon me shtete armiqësore: “Nëse merrni para nga Irani apo ndonjë shtet tjetër për të kryer akte të paligjshme në Britani, do të përballeni me të gjithë forcën e aparatit të sigurisë kombëtare. Është një zgjedhje që do ta pendoheni.”







