Një skandal i rëndë ka dalë në dritë në Krastë të Martaneshit, ku një galeri e mbyllur nga shteti është rihapur në mënyrë të paligjshme. Pa asnjë licencë, pa asnjë masë sigurie dhe me pagesa mujore për heshtjen e policisë lokale, në këtë zonë po shfrytëzohen pasuritë nëntokësore në mënyrë kriminale.
Emrat që qëndrojnë pas kësaj skeme janë Arjan Tollja, Albert Perkoxha dhe Altin Delishi – persona që, sipas burimit, kanë ngritur një rrjet informal për nxjerrjen dhe shitjen e kromit, duke shmangur çdo kontroll shtetëror dhe duke rrezikuar jetët e punëtorëve të pambrojtur.
Galeria nuk figuron në asnjë regjistër zyrtar. Ajo nuk ka licencë, nuk ka certifikim teknik, dhe megjithatë, çdo ditë, dhjetëra punëtorë hyjnë nën tokë, në një ndër zonat më të rrezikshme të vendit për shembje dhe aksidente.
❗ Por ajo që e bën këtë rast edhe më të rëndë është përfshirja e drejtpërdrejtë e strukturave të rendit. Sipas burimit të Pamfletit, shefi i komisariatit të Bulqizës merr çdo muaj 2.5 milionë lekë për të “mbyllur sytë” ndaj këtij aktiviteti kriminal. Nëse kjo provohet, kemi të bëjmë me një organizatë të mirëstrukturuar kriminale, ku shteti nuk mungon – por bashkëpunon.
📍Krasta është bërë ndër vite simbol i tragjedive minerare, me dhjetëra viktima dhe abuzime që janë heshtur. Galeritë e mbyllura janë shpallur të rrezikshme nga vetë autoritetet, por sot ato funksionojnë si “miniera fantazmë” për të pasuruar një grusht njerëzish dhe për të korruptuar zyrtarë lokalë.
Kjo është më shumë se një shkelje ligji – është një krim ndaj jetës, pasurisë kombëtare dhe vetë ideve të shtetit ligjor.
Pse lejohet që në vitin 2025, në Shqipëri, të ekzistojnë ende galeri fantazmë ku punohet si në epokën e gurit?