Udhëheqësi i Partisë Popullore Republikane (CHP), Ozgur Ozel, u sulmua të dielën në Stamboll, ndërsa po largohej nga një ceremoni përkujtimore në Qendrën Kulturore Ataturk, në qendër të qytetit.
Sipas pamjeve, një burrë iu afrua Ozel-it dhe e goditi në fytyrë. Sulmi ndodhi pas përfundimit të ceremonisë për Sirri Sureyya Onder, një politikan pro-kurd që ndërroi jetë të shtunën. Fatmirësisht, Ozel nuk pësoi lëndime fizike.
Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit njoftoi se autori i dyshuar është ndaluar menjëherë pas incidentit. Sipas Ministrisë së Brendshme, agresori është një burrë 66-vjeçar, i dënuar më parë për krime të rënda. Ai kishte vrarë dy fëmijët e tij në vitin 2004 dhe kishte vuajtur 17 vite burg, para se të lirohej me kusht në vitin 2020.
Para se të kryente sulmin ndaj Ozel-it, agresori thuhet se bërtiti: “Unë jam një fëmijë osman”.
Ngjarja ka rindezur debatet mbi sigurinë e politikanëve në Turqi. Kujtojmë se në vitin 2019, ish-kryetari i CHP-së, Kemal Kilicdaroglu, u sulmua gjatë një varrimi ushtarak në provincën e Ankarasë.







