Burri që i injektoi vetes helme për 20 vite ndihmon në krijimin e një kundërhelmi universal

Tim Friede, një burrë amerikan që ka kaluar gati dy dekada duke i injektuar vetes helme gjarpri, ka ndihmuar në zhvillimin e një kundërhelmi revolucionar që mund të shpëtojë mijëra jetë në mbarë botën.

Shkencëtarët kanë zbuluar se antitrupat e zhvilluar në gjakun e tij ofrojnë mbrojtje kundër dozave fatale të helmeve nga shumë specie gjarpërinjsh. Ndryshe nga kundërhelmet aktuale, të cilat funksionojnë vetëm ndaj një lloji të caktuar helmi, antitrupat e trupit të Friede janë shumë më gjithëpërfshirës.

Pas mbi 700 injeksioneve dhe më shumë se 200 pickimeve nga gjarpërinj të rrezikshëm si mamba dhe kobra, trupi i tij ka krijuar një sistem imun të jashtëzakonshëm. Këtë e kanë shfrytëzuar studiuesit e kompanisë bioteknologjike Centivax dhe të Universitetit Columbia, të cilët kanë analizuar gjakun e tij dhe kanë identifikuar dy antitrupa që neutralizojnë dy klasa të ndryshme neurotoksinash. Një përbërës i tretë është shtuar për të krijuar një “koktej kundërhelmi”, i cili në testime laboratorike te minjtë ofroi mbrojtje të plotë kundër 13 prej 19 gjarpërinjve më vdekjeprurës në botë.

Ky është një hap i madh drejt krijimit të një kundërhelmi universal, i cili në të ardhmen mund të administrohet si një injeksion i vetëm që mbron kundër të gjitha formave të helmit: neurotoksik, hemotoksik dhe citotoksik.

Edhe pse kërkimet janë ende në fazë të hershme dhe nevojiten më shumë testime klinike, ekspertët thonë se ky është një zhvillim premtues për mjekësinë tropikale dhe shpëtimin e jetëve në zonat ku pickimet nga gjarpërinjtë janë të përhapura.

Për Tim Friede, i cili ka rrezikuar jetën e tij më shumë se një herë – madje duke rënë edhe në koma pas një pickimi nga kobra – ky moment është një triumf personal dhe humanitar.

“Jam krenar. Ndihem mirë që po bëj diçka të mirë për njerëzimin,” – është shprehur ai.