FLASH :

“Truri i dytë” qenka më i zgjuar sesa mendonim!

Të gjithë e dimë se truri drejton mendimet, ndjesitë dhe sjelljen. Por ne kemi edhe një tru të dytë që luan rol në formimin e mendimeve, emocionet e madje edhe shëndetin tonë mendor.

Truri i dytë janë zorrët të cilat gëlojnë nga baktere, kërpudha dhe mikroorganizma. Ata njihen ndryshe si ”mikrobioma” e zorrëve. Roli i tyre është i rëndësishëm sepse ndihmojnë në tretjen e ushqimit, në metabolizëm dhe parandalimin e sëmundjeve.

Por ajo për të cilën dihet më pak është sesi ndikojnë në sjellje, emocione dhe kujtesë. Ideja e lidhjes tru-zorrë është thënë që në shek. XIX.

Një kirurg me emrin William Beaumont mjekoi një pacient, Alexis St Martin që kishte një vrimë në stomak për shkak të një plagosjeje me armë zjarri. Pas disa eksperimenteve të dyshimta nga ana etike, ai mësoi sesi emocionet e St Martin ndikonin te tretja. Lëndimi që ai kishte pësuar i dha Beaumont një mori informacioni për funksionimin e brendshëm të zorrës.

Sot është e qartë që zorrët ndikojnë në trurin tonë, thotë gazetarja e BBC, Melissa Hogenboom. Mikrobet rregullojnë sistemin imunitar duke prodhuar lëndë kimike që prekin direkt aktivitetin e trurit dhe ndikojnë zhvillimin e rrugëve nervore në tru.

Studimet te kafshët kanë treguar se minjtë pa mikrobe, të rritur në ambiente sterile, janë më ankthiozë dhe më pak socialë krahasuar me ata që kanë një mikrobiomë normale. Minjtë nën mjekimin e antibiotikëve që pakësojnë mikrobet janë më hiperaktivë, të gatshëm për të ndërmarrë rreziqe dhe kanë probleme me kujtesën.

Të kuptuarit më mirë lidhjen e trurit me zorrët mund të ndihmojë shkencëtarët të gjejnë kura më të mira për sëmundjet.

Për shembull, nivelet e reduktuara të disa baktereve janë të zakonshme te individët që kanë probleme të shëndetit mendor. Një studim zbuloi se marrja e një probiotiku ndihmonte personat me depresion.

Edhe pse kërkimet te njeriu janë ende në vijim, është e qartë se ushqimi i mirë s’ndihmon vetëm trupin, por edhe mendjen.