FLASH :

Sulmohet anija me ndihma në Maltë

Një anije me ndihma humanitare për Gazën u sulmua nga dronë ndërsa ndodhej në ujërat ndërkombëtare pranë Maltës.

Koalicioni i Flotiljes së Lirisë pas sulmit paralajmëroi se anija ishte në rrezik të fundosej me 30 aktivistë ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut në bord. Autoritetet portuale kishin marrë një telefonatë nga anija që raportoi një zjarr pak pas mesnatës sipas orës lokale.

Anija kishte planifikuar të lundronte drejt Gazës dhe të “sfidonte rrethimin dhe bllokadën e paligjshme të Izraelit” atje. Qeveria malteze bëri të ditur se pas një operacioni shpëtimi të gjithë në bord ishin të sigurt.

Koalicioni i Flotiljes së Lirisë hodhi akuza se pas sulmit qëndron Izraeli.

Ndërkaq, Kryqi i Kuq ka paralajmëruar se Gaza është në “prag të kolapsit total” pas dy muajsh bllokimi të ndihmës nga Izraeli për territorin palestinez të shkatërruar nga lufta.

Gjithashtu edhe Koordinatori i ndihmës i OKB-së, Tom Fletcher i bëri thirrje Izraelit të heqë bllokadën. “E drejta ndërkombëtare është e qartë: Si fuqi pushtuese, Izraeli duhet të lejojë mbështetjen humanitare. Ndihma nuk duhet të jetë kurrë një “kart negocimi”, tha Fletcher.

Izraeli ndaloi shpërndarjen e ndihmave në Gaza më 2 Mars, disa ditë para se t’i jepte fund armëpushimit.