Janë zbuluar për herë të parë kushtet tronditëse ku tre djem të vegjël u mbajtën të izoluar për katër vjet nga prindërit e tyre, të cilët ishin obsesivë ndaj pandemisë së Covid-19.
Policia në qytetin verior spanjoll Oviedo gjeti tre fëmijë të moshës midis tetë dhe dhjetë vjeç në një shtëpi ditën e mërkurë, ku besohet se ata kanë jetuar të izoluar që nga viti 2021.
Policia vizitoi banesën të hënën, gjatë ndërprerjeve të energjisë elektrike në Spanjë, dhe mbeti e tmerruar nga kushtet ku jetonin fëmijët, raporton DW. Në një moment emocional, fëmijët filluan të hiperventilonin dhe u hodhën mbi bar për ta prekur.
Familja ishte shkëputur nga bota gjatë pandemisë, duke ndaluar fëmijët të dilnin jashtë dhe duke i detyruar të flinin në shtretër të mbyllur me rrjeta hekuri.
Fotografi nga brenda shtëpisë tregonin vizatime të tmerrshme përbindëshash me dhëmbë të mprehtë, të bërë mbi krevatët e fëmijëve. Kur u gjetën nga policia, ata ende mbanin pelena.



Sipas policisë spanjolle, shtëpia ishte në një gjendje të neveritshme, me mbeturina të shumta dhe ilaçe të grumbulluara kudo. Sipërfaqet ishin të mbuluara me jashtëqitje të kafshëve shtëpiake dhe në shtëpi jetonte edhe një mace me një tumor të madh.
Fëmijët – dy binjakë tetëvjeçarë dhe vëllai i tyre dhjetëvjeçar – nuk shfaqnin shenja sëmundjeje, por ishin “të papastër” dhe “të shkëputur nga realiteti”.
Sipas një burimi të hetimit, ata kishin një orar të saktë dhe një numër të kufizuar përdorimesh të tualetit gjatë ditës, sepse pjesën tjetër të kohës duhej të mbanin pelena.
Një raport pediatrik zbuloi se ata vuanin nga kapsllëk i rëndë, pasi në zorrët e tyre ishin gjetur mbetje fekale të shumta për shkak të vonesave të gjata për të përdorur tualetin.
Prindërit pretenduan se fëmijët nuk kishin kontroll mbi nevojat fiziologjike, por raporti mjekësor vërtetoi të kundërtën.
Edhe pse banesa ishte plot me papastërti, me pelena të përdorura të hedhura në banjë dhe tamponë të përdorur nën krevatin martesore, çifti – Melissa Ann Steffen, 48 vjeçe, dhe burri i saj gjerman, Christian Steffen, 53 vjeç – kishin në dhomën e tyre gjashtë pastrues ajri.
Autoritetet morën sinjalizim nga një fqinj që kishte vënë re se fëmijët nuk shkonin kurrë në shkollë. Policia u bë dyshuese pasi në shtëpi ishte i regjistruar vetëm një person, por porositë e ushqimeve ishin për disa vetë.
Prindërit u arrestuan dhe fëmijët u vendosën menjëherë në kujdes shtetëror. Kur dolën jashtë për herë të parë pas katër vitesh, fëmijët ishin të pasigurt në ecje – thuajse gjysmën e jetës së tyre e kishin kaluar brenda.
“Nuk donin të dilnin as në kopsht. Kur panë një kërmill, u ekzaltuan. Ishin të frikësuar,” tha një oficer për El Mundo.
“Në fakt, ne u kemi rikthyer jetën tre fëmijëve,” deklaroi drejtuesi i operacionit, Francisco Javier Lozano.
Kur policia trokiti në derë, babai – një ish-student filozofie me doktoraturë nga Hamburgu, që punonte si rekrutues teknologjie – kërkoi kohë për të vënë maska fëmijëve. Ai vetë ishte zbathur dhe i çrregulluar, dhe kërkoi që oficerët të mbanin distancë.



Kur hynë brenda, fëmijët kishin tri maska secili. Nëna pretendoi se ishin “të sëmurë rëndë”.
Ata kishin jetuar të mbyllur që nga dhjetori 2021. Prindërit blinin ilaçe me përmbajtje THC (substancë aktive e kanabisit) nga tregu i zi për të “trajtuar” ADHD-në te fëmijët, pa ndonjë diagnozë zyrtare.
Fëmijët nuk kishin këpucë të përshtatshme dhe flinin ende në krevate foshnjash. Nuk kishin dalë as në kopsht dhe nuk ishin lejuar të hapnin dritaret.
Fqinjët nuk kishin asnjë ide që në shtëpi jetonin fëmijë – perdet ishin gjithmonë të mbyllura dhe nuk kishte zhurma apo shenja jete.
Operacioni nisi më 14 prill, pas një denoncimi nga një grua që dëgjoi zëra fëmijësh. Sipas saj, asnjëherë nuk kishte parë fëmijë duke luajtur apo shkuar në shkollë.
Zyrtarja e shërbimeve sociale Marta del Arco deklaroi se fizikisht fëmijët janë mirë, por vlerësimi psikologjik ende po vazhdon.
Flor Gonzalez Muñiz nga Shoqata Profesionale e Edukimit Social të Asturias tha se prindërit kishin futur idenë se bota jashtë ishte e rrezikshme dhe i detyronin të mbanin maska gjithmonë.
Që kur u çliruan, dy binjakët janë përshtatur mirë pa maska, por vëllai i madh është më i rezervuar – ai ha dhe më pas e vendos sërish maskën.
Muñiz tha: “Dëmi është shumë i rëndë, por jo i pakthyeshëm. E mira është që janë tre, dhe mund ta përballojnë së bashku si grup.”
Ajo përfundoi: “Nëse punohet mirë, me kujdes terapeutik dhe social, fëmijët mund të kenë një jetë të plotë, edhe pse kjo eksperiencë do i ndjekë gjithmonë. Duhet filluar me trajnime bazike si higjiena, përdorimi i tualetit, dalja jashtë dhe zhvillimi i autonomisë.”