Në një debat të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në emisionin Opinion, politikani dhe sipërmarrësi Agron Shehaj ka ngritur shqetësimin për shpërdorimin e fondeve publike, duke e cilësuar këtë fenomen si një “vjedhje të hapur” ndaj qytetarëve shqiptarë.
Shehaj foli hapur për një ndër problemet më të ndjeshme të administrates, përfitimin e dy apo më shumë pagave nga të njëjtët individë, pa justifikim dhe pa transparencë.
“Të marrësh paratë publike pa punuar në shtet është vjedhje! Këtu ka njerëz që marrin dy rroga, jo ça dy… Mazniku doli që merrte 12 rroga. Ka dalë lista e pagave, është skandal,” tha ai, duke shtuar me ironi: “Ujësjellësi është vetëm një rast, a thua na e sjellin me shishe ujin nëpër shtëpi.”
Ai gjithashtu iu rikthye edhe çështjes së RTSH-së, për të cilën theksoi se kishte folur më herët, por deklaroi se nuk ka kërkuar asnjëherë mbylljen e saj, siç është interpretuar gabimisht në media: “U skandalizuan, thanë ‘do ta mbyllë’, por unë s’e kam thënë kurrë një gjë të tillë.”
I pyetur nga njëra prej të ftuarave në studio nëse e mendon pasojën e fjalëve të tij, Shehaj u shpreh qartë: “E kuptoj shqetësimin, por ta garantoj që ka mënyra. Po marr vetëm një shembull: Elon Musk në Amerikë u ka dërguar një email të gjithë nëpunësve ku u kërkon të tregojnë çfarë kanë bërë gjatë javës së fundit…”
Me një qëndrim të prerë dhe të argumentuar, Agron Shehaj vijon të mbetet një nga zërat më kritikë ndaj abuzimeve me pasurinë publike, duke kërkuar transparence në shërbim të qytetarëve.







