Për vite me radhë, shumëkush është kuriozuar se si është jeta në rezidencën private të Vladimir Putinit në Kremlin, një vend ku hyrja u lejohet vetëm personave nga rrethi i tij i ngushtë dhe i mbrojtur.
Por tani, misteri se çfarë ndodhet pas derës së diktatorit më në fund është zbuluar, pasi ai i ofroi publikut një vështrim të parë në apartamentin e tij luksoz.
Në një video të paprecedentë, lideri rus shihet duke biseduar me një gazetar vendas jashtë banesës së tij pranë zyrës përpara se të zbulojë se çfarë ndodhet brenda.
Putin hap derën e veshur me ar dhe thotë: “Po, ky është apartamenti. Siç e shihni, nuk është larg”, përpara se ta ftojë gazetarin Zarubin brenda.
Të dy hyjnë në një sallë madhështore të zbukuruar me mure të arta, pasqyra të mëdha me korniza ari, llamba kristali dhe bimë ekzotike.
Një portret i madh i perandorit rus Aleksandri III është vendosur në mënyrë të dukshme mbi një tavolinë, ndërsa disa divane në ngjyra të çelëta ndodhen në mes të dhomës.
Aty ndodhet edhe një piano e madhe e bardhë pranë dritares, për të cilën Putin thotë se rrallëherë arrin ta luajë.
Në video të tjera që janë pjesë të një interviste më të gjatë që do të transmetohet në Rusi më 4 maj Putin i tregon Zarubinit edhe një bibliotekë me veshje druri të errët, dy dhoma gjumi dhe një “kishë shtëpie” të vogël.
Në mars 2023, në një intervistë për programin propagandistik “Moska. Kremlini. Putini”, diktatori deklaroi se pjesa joformale e bisedimeve me kryetarin e Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, është zhvilluar pikërisht në këtë apartament.
“Kishim një drekë pune, dhe më pas e ftova kryetarin, si mik, që të kalonim në një dhomë tjetër. Kam një apartament këtu [në Kremlin], ku kam kaluar shumë kohë kohët e fundit. Punoj këtu dhe shpesh fle këtu, kështu që shkuam aty dhe, ulur pranë oxhakut, duke pirë çaj, folëm për gjithçka me qetësi,” tha Putin në atë kohë.
Jeta luksoze e diktatorit bie në kontrast të thellë me vuajtjet që përjetojnë ushtarët e tij në frontin e përgjakshëm të Ukrainës.
Në mars, inteligjenca britanike deklaroi se Rusia ka pësuar humbjet më të mëdha njerëzore që nga Lufta e Dytë Botërore gjatë pushtimit të saj.
Ministria britanike e Mbrojtjes deklaroi në përditësimin e saj të fundit se deri në 250,000 ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i luftës së Putinit në shkurt 2022.
Po ashtu, Ministria shtoi se ndonëse numri i përgjithshëm i viktimave ruse arrin në 900,000 që nga pushtimi, “Putini dhe drejtuesit ushtarakë rusë ka shumë gjasa që t’u japin përparësi objektivave ushtarake përpara jetëve të ushtarëve rusë.”
Videoja e apartamentit në Kremlin vjen pasi vitin e kaluar u publikuan pamje të rrjedhura që tregonin se Putin kishte rindërtuar pallatin e tij 1 miliardë paundësh në majë të shkëmbinjve duke hequr dhomën për “vallëzim në shtyllë” dhe duke instaluar një kishë me një “fron” për përdorim personal.
Diktatori 71-vjeçar u trondit kur gazetarë investigativë të lidhur me fondacionin anti-korrupsion të Alexei Navalnyt (FBK) zbuluan vilën luksoze në Gelendzhik që shikon nga Deti i Zi, tre vite më parë.


Mes një skandali për keqpërdorim të fondeve shtetërore, Kremlini pretendoi se pallati i përkiste mikut të fëmijërisë së Putinit, Arkady Rotenberg, 72 vjeç, i cili tha se po ndërtonte një “apart-hotel” luksoz.
Por njohësit e Putinit e panë këtë si një tymnajë, ndërsa pamje të reja të rrjedhura treguan shijet e ndryshuara të diktatorit, në një transformim të stërholluar të pallatit të tij, që përfshin një kompleks nëntokësor 16-katësh të ndërtuar në faqe të shkëmbit krahasuar shpesh me bazën e një personazhi negativ të James Bond-it.
Zbulimet më të sikletshme për pallatin dolën në dritë teksa Putin u inaugurua për herë të pestë si president i Rusisë, pas një “fitoreje” në zgjedhjet e marsit 2024 që konsiderohen gjerësisht si të manipuluara.
Skena famëkeqe për “striptizë” e presidentit rus, dhoma për nargjile me vallëzim në shtyllë, kazinoja, dhoma e lojërave dhe “diskoja ujore” për të cilat u tall dhe u turpërua pas ekspozimit të vitit 2021 janë zhdukur.
Analistët mendojnë se këto elemente nuk përputhen më me fushatën e fundit të Putinit për të promovuar “vlerat tradicionale” në Rusi.
Po ashtu janë hequr edhe zbukurimet dhe ornamentet e arta të tepruara që u zbuluan më herët.
Në vend të tyre, prona është mobiluar me një kishë tradicionale të kompletuar me një fron prej druri për Putinin, si dhe me ikona dhe imazhe fetare.
Një prej tyre paraqet princin e kanonizuar Vladimir i Madh që ka të njëjtin emër me Putinin dhe është heroi i tij historik i cili, më shumë se një mijë vjet më parë, u kreditua për bashkimin e Ukrainës dhe Rusisë.

“Kjo është ndoshta e vetmja dhomë ku emri i pronarit të vërtetë të këtij pallati tregohet drejtpërdrejt,” thuhet në hetimin e realizuar nga FBK dikur e lidhur me liderin opozitar të “vrarë” Alexei Navalny dhe media e pavarur ruse Proekt.
Kisha personale e Putinit është elementi qendror, me një altar të artë, dysheme mermeri dhe mure të zbukuruara me ornamente të gjelbërta të errëta për të dhënë një ndjesi serioziteti dhe solemniteti.
Kjo është krejt ndryshe nga pamjet e mëparshme të krijuara me kompjuter që tregonin një dhomë për nargjile me shtyllë për vallëzim dhe divane.
Tashmë, muret i zbukurojnë piktura epike të betejave historike, që paraqesin Rusinë si heroike për shembull në Betejën e Borodinos në vitin 1812, kur Napoleon pësoi humbje të mëdha.
Një prej tyre përfshin një fragment nga piktura e njohur në Kremlin me mbishkrimin: “Kushdo që na vjen me shpatë, do të vdesë nga shpata!”







