Një bastisje e bujshme policore ka tronditur qendrën e Londrës, pasi autoritetet zbuluan një rrjet të paligjshëm shitjesh në një dyqan ëmbëlsirash në Oxford Street, ku një turist ishte mashtruar duke paguar plot 899 paund për vetëm dy pako karamele.
Ngjarja ndodhi në datat 12-13 prill, kur turisti i zhgënjyer u rikthye në dyqan së bashku me oficerët e policisë dhe arriti të marrë një rimbursim të plotë. Por ajo që filloi si një ankesë konsumatore, u shndërrua në një hetim të thelluar penal.
Më 25 prill, gjatë një bastisjeje të dytë në adresën 399A Oxford Street, efektivët e Metropolitan Police dhe zyrtarët e Westminster Council zbuluan një dhomë të fshehtë në bodrumin e dyqanit, të maskuar pas një muri të mbuluar me çanta.
Por më e çuditshmja: nga kjo zonë e fshehtë dilte një tunel nëntokësor, nga ku dy punonjës të dyqanit arritën të shpëtonin nga policia, duke shmangur arrestimin.
Çfarë u gjet në bastisje?
- Ushqime amerikane të dyshimta
- Cigare të kontrabanduara si Marlboro, Benson & Hedges dhe një markë kineze “Top Gun”
- Vape dhe produkte me nikotinë jashtë standardeve – disa me etiketime kontradiktore për përmbajtjen e nikotinës
- Pajisje elektronike si power bank dhe përshtatës udhëtimi
- Produkte me “puff” të deklaruara deri në 20,000 herë përdorim, shumë mbi limitin ligjor në Mbretërinë e Bashkuar
Zyrtarët e qeverisë lokale: “Mjaft me mashtrimet!”
Kryetari i Westminster City Council, Adam Hug, u shpreh ashpër pas zbulimeve:
“Prej kohësh e dimë që këto dyqane amerikane të ëmbëlsirave mashtrojnë klientët, por 900 paund për dy karamele është një rekord i ri turpi. Ky treg i pistë po shkon drejt fundit.”
Sipas të dhënave të fundit, numri i dyqaneve të ëmbëlsirave dhe suvenireve në Oxford Street është përgjysmuar, duke rënë nga 40 në vetëm 18 që prej pandemisë. Vetëm në dy vitet e fundit, autoritetet lokale kanë sekuestruar më shumë se 1 milion paund në mallra të falsifikuara ose të pasigurta.
Westminster City Council ka nisur edhe procedura gjyqësore për të rikuperuar taksat e papaguara të biznesit nga këto dyqane mashtruese.







