FLASH :

Darka e fundit” para votimit për Papën e ri – Si ushqimi ruan sekretet e Konklavës në Vatikan

ROMË – Ndërsa Vatikani përgatitet për konklavën e 7 majit, ku 135 kardinalë do të mblidhen për të zgjedhur Papën e ri, rregullat strikte mbi ushqimin dhe izolimin po rivihen në fuqi me kujdes. Për më shumë se 750 vjet, Kisha Katolike ka vendosur kufizime të rrepta mbi atë që kardinalët mund të hanë – jo për arsye dietike, por për të parandaluar komunikimet e fshehta gjatë zgjedhjes më të rëndësishme të kishës.

Në ditët para konklavës, shumë nga kardinalët janë parë nëpër restorantet e tyre të preferuara në Romë. Mediat italiane raportojnë se në prag të konklavës së vitit 2013, disa kardinalë vizituan restorantin e njohur Al Passetto di Borgo, vetëm 200 metra larg Bazilikës së Shën Pjetrit. Kardinali amerikan Donald Wuerl porosit gjithmonë lazanjë, ndërsa italiani Francesco Coccopalmerio – që dyshohet se mori më shumë vota mes kolegëve të tij italianë – preferon kallamarët e pjekur në zgarrë.

Kjo mund të jetë edhe “darka e fundit” e tyre për një kohë të pacaktuar. Gjatë konklavës, kardinalët mbyllen në mënyrë të plotë në ambientet e Vatikanit – konkretisht në Kapelën Sistine – ku do të votojnë, flenë dhe hanë në kushte izolimi total. Asnjë mesazh nuk mund të futet apo dalë, me përjashtim të tymit të bardhë (që sinjalizon zgjedhjen e Papës së ri) apo të zi (që njofton se nuk ka ende marrëveshje).

Historikisht, ushqimi është konsideruar një kanal i mundshëm për komunikim të ndaluar. Ka pasur frikë se dikush mund të fshihte një mesazh në ravioli apo në pecetë. Prandaj, ushqimi që u shërbehet kardinalëve është kontrolluar në mënyrë rigoroze që prej shekullit XIII. Rregullat e vendosura nga Papa Gregori X në vitin 1274 parashikonin madje edhe racionimin e ushqimit për të shtyrë kardinalët drejt një vendimi të shpejtë: pas tre ditësh pa zgjedhje, merrnin vetëm një vakt në ditë; pas tetë ditësh, vetëm bukë e ujë.

Në shekullin XVI, shefi i famshëm Bartolomeo Scappi përshkruante me detaje ushqimin e konklavës që zgjodhi Papën Julius III. Ushqimi përgatitej nga kuzhinierë dhe shërbëtorë të kontrolluar nga roje, dhe shpërndahej përmes një rrote muri që ndante kuzhinën nga ambienti i kardinalëve. Asgjë nuk lejohej që mund të fshihte mesazhe – as byrekë të mbyllur, as pula të tëra. Edhe napkinit kontrolloheshin. Uji dhe vera servirej vetëm në gota të tejdukshme. Çdo hap ruhej nga Garda Zvicerane dhe italiane.

Sot, ushqimi është më modest, por kontrolli mbetet. Nënat murgesha të Domus Sanctae Marthae, rezidenca ku qëndrojnë kardinalët gjatë konklavës, do të përgatisin ushqime të thjeshta si minestrone, spaghetti, arrosticini (skeptha qengji) dhe perime të ziera – receta tradicionale të rajonit të Lazios dhe Abrucos. Kjo pasqyron frymën e thjeshtësisë që Papa Françesku ka promovuar gjatë pontifikatit të tij.

Megjithatë, shqetësimi kryesor i sotëm nuk janë më mesazhet në mish pule, por përgjimet dhe paisjet elektronike të fshehta. Para konklavës, ambientet e Vatikanit do të kontrollohen me pajisje anti-përgjimi për të shmangur çdo tentativë ndërhyrjeje nga jashtë.

Ndërkohë, ndërsa numërimi mbrapsht ka nisur, kardinalët shijojnë edhe ndonjë pjatë të fundit në qetësi – ndoshta pa e ditur se cili prej tyre do të dalë nga Kapela Sistine me titullin e Papës së ri për mbi 1.4 miliardë katolikë në mbarë botën.