Radhë të gjata dhe pritje të gjata janë shënuar sot në pikën kufitare të Qafë Thanës, që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut. Që prej orës 09:00 të mëngjesit, në të dyja anët e kufirit është regjistruar një fluks i lartë udhëtarësh, të cilët kanë pritur mbi 45 minuta për të kaluar në territorin fqinj. Situata ka shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët, veçanërisht shtetasit e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë nisur udhëtimet drejt bregdetit shqiptar për të përfituar nga pushimet katërditore në vendin e tyre.
Policia kufitare shqiptare ka bërë të ditur se po punon me kapacitet të plotë në të dy drejtimet, hyrje dhe dalje, dhe ka kërkuar nga pala maqedonase të aplikojë procedura të përshpejtuara për të përballuar fluksin. Megjithatë, ky propozim nuk është pranuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë ditës së sotme janë regjistruar mbi 8,000 kalime nëpërmjet kësaj pike kufitare, një numër që pritet të rritet gjatë ditëve në vijim për shkak të sezonit turistik dhe lehtësive të udhëtimit mes dy vendeve.