Rreth orës 00:05 të datës 1 maj, në lagjen “Partizani” në qytetin e Elbasanit, është raportuar një shpërthim në katin e parë të një banese në pronësi të shtetasit Arbër Pepa. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se është përdorur një sasi e vogël lënde plasëse, ndërsa fatmirësisht në momentin e ngjarjes në banesë nuk ndodhej askush dhe nuk ka pasur të lënduar. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Ndërkohë, burime zyrtare nga Policia bëjnë me dije se ngjarja dyshohet të jetë e ideuar nga vetë pronari i banesës. Sipas hetimeve paraprake, Arbër Pepa, në bashkëpunim me nipin e tij, ka planifikuar vendosjen e lëndës plasëse me qëllim përdorimin e ngjarjes si argument për të kërkuar azil në një prej vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas të njëjtave burime, Pepa ka kaluar kufirin drejt Greqisë pak para mesnatës, së bashku me bashkëshorten dhe fëmijën, ndërkohë që nipi i tij ka vendosur lëndën plasëse në banesë menjëherë pas largimit të tyre. Policia ka konfirmuar se kjo është pista kryesore e hetimit.