FLASH :

Atentati ndaj njeriut të basteve të Tomës, si u munduan të lanin duart Rama dhe Proda

Një përplasje fizike, e cila mund të kishte përfunduar në përplasje të armatosur, është shmangur vetëm për pak dje në zonën e Ali Demit në Tiranë, duke futur në valle implikime të rënda politike, që nga kreu i qeverisë deri te drejtuesi i policisë së shtetit.

Arjan Telhallari, babai i Lorenc Telhallarit, është paraqitur me një automatik tip Scorpions në dorë, pas një sherri të djalit të tij me Lendi Palaj, që njihet si “prestanome” i Tom Doshit për të kamufluar pikat ilegale të basteve sportive “333” dhe “CR7” në Tiranë, për shkak të një borxhi, që vjen pikërisht nga kumari i paligjshëm në mes të qytetit, edhe pse ligjërisht ky lloj bixhozi është i ndaluar.

Por si implikohen Rama, Doshi dhe Proda me këtë incident?

Ata duket se kanë rënë me këmbët e tyre. Së pari policia njoftoi zyrtarisht se konflikti ka ndodhur pikërisht në zyrat e PSD.

Proda, sigurisht me miratimin e ministrit Hoxha, pasi ky i fundit padyshim është konsultuar me Edi Ramën ose Fugën e tij për një çështje kaq të mprehtë politike, ka larë menjëherë duart dhe për të larguar vëmendjen nga çështja e bixhozit, që zhvillohet ditën për diell nën hundën dhe me bekimin e policisë, deshi ta vishte si incident politik kur në njoftimin zyrtar shkruante se: “Një i ri është zënë me një tjetër në zonën e Ali Demit dhe ka shkuar në shtëpi. Më pas bashkë me të atin Arjan Telhallari kanë shkuar tek lokali për të gjetur të riun, djalin tjetër, por nuk e kanë gjetur. Pasi kanë kontrolluar aty afër kanë parë që ndodhej tek zyra e PSD dhe më pas kanë hyrë aty dhe janë konfliktuar”.

Por PSD ka nxituar që në reagimin e saj të përgënjeshtrojë vetë policinë, kur bënte me dije se: “Partia Socialdemokrate sqaron opinionin publik se ngjarja e ndodhur këtë mesditë në rrugën “Ali Demi”, nuk ka asnjë lidhje me zyrën tonë elektorale apo me aktivitetin e Partisë Socialdemokrate. Vendi ku ka ndodhur incidenti ndodhet pranë ambjenteve tona, por asnjë nga anëtarët apo simpatizantët tanë nuk ka qenë i përfshirë në konfliktin në fjalë. Dënojmë çdo akt dhune dhe presim që organet kompetente të sqarojnë plotësisht rrethanat e ngjarjes.”

Duket se Tom Doshi nuk e ka pritur aspak mirë, që policia e ka përfshirë partinë e tij në këtë incident, duke qenë se ai bastet e paligjshme dhe të ardhurat prej tyre, i përdor pikërisht për qëllime politike, për të forcuar partinë e tij, për të rritur numrin e deputetëve dhe për të kontribuar në koalicionin politik parlamentar, që do mund të mbante në këmbë qeverinë e Ramës, në rast se kjo e fundit nuk arrin t’i bëjë 71 mandate.

Që incidenti ka ndodhur për baste dhe që Landi Palaj është strehuar në zyrat e PSD, kjo e bën të qartë kristal lidhjen e aktivitetit të paligjshëm me partinë politike në fjalë.

Pra fillimisht qeveria, në ankthin dhe frikën se mund t’i dilnin lakrat se fushata e aleatit të saj financohet me paratë e basteve ilegale, fshehu identitetin e personit shënjestër të atentatit, Landi Palajt, njeriut të besuar të Doshit si tagrambledhës i basteve ilegale që financojnë PSD, e cila më pas mbështet qeverinë, duke tentuar ta vishte si incident politik.

Kjo u bë edhe që policia të lante duart se nuk ka dijeni për bastet ilegale, ndërkohë që ato zhvillohen me bekimin e plotë të drejtorit të madh Ilir Proda, i cili ka direktiva të qarta nga ministri Ervin Hoxha, për të mos ndërhyrë në bizneset e errëta të aleatit politik.

Sigurisht Hoxha, këtë vendimmarrje nuk e ka të tijën, pasi ai është vetëm marjoneta e radhës e Edi Ramës.